Nga Ekuadori në Belgjikë: Si funksiononte “super karteli” shqiptar i kokainës!

Autoritetet belge, në bashkëpunim me SPAK, kanë zbuluar një skemë të pazakontë trafiku ndërkombëtar droge ku protagonistë janë shqiptarë. Ndryshe nga grupet e tjera që përdorin kontejnerë me banane për të futur kokainën në Europë, ky rrjet kishte shpikur metoda më të sofistikuara: ngarkesat fshiheshin në anije tregtare, hidheshin në det të hapur dhe më pas merreshin nga peshkarexha të vogla.

Hetuesit dyshojnë se grupi ka përdorur madje edhe një nëndetëse për transportimin e lëndës narkotike, duke e bërë këtë rast unik në Europë. Droga vinte kryesisht nga Ekuadori dhe Brazili, ndërsa në Belgjikë funksiononte një laborator për përpunimin e saj.

Ky rrjet kishte shtrirje në disa shtete europiane, në Amerikën Latine dhe deri në Afrikë, ku dyshohet se ka organizuar dërgesa të tjera. Vetëm në dy raste janë kapur afro 400 kg kokainë, në portet e Antërp-it në Belgjikë dhe të Brake-s në Gjermani.

Deri tani janë identifikuar të paktën pesë persona, por hetuesit kanë në dorë vetëm nofkat e shumë të tjerëve. Për të komunikuar mes tyre, anëtarët përdornin telefona të enkriptuar, ndërsa janë dokumentuar udhëtime të shpeshta në Dubai dhe takime sekrete në hotele luksoze në Belgjikë, ku planifikoheshin dërgesat milionëshe të kokainës.

More posts