Piloti i avionit njoftoi uljen drejt aeroportit të Tiranës dhe të gjithë pasagjerët lidhën rripat e sigurimit. Ishte një ditë me diell dhe fluturim i qetë, pa turbulenca.
Në sediljen ngjitur ishin rastësisht Emma dhe Sophia, dy gra gjermane që po vizitonin Shqipërinë për herë të parë. Ndërkohë që avioni po zbriste mbi bregdetin e Durrësit, Emma — e impresionuar nga pamja magjepsëse e detit dhe kodrave — u kthye nga unë dhe më pyeti:
— Zotëri, sa kushton një makinë me qira? Sepse duam të eksplorojmë disa qytete të Shqipërisë.
Papritur, buzëqeshja ime ngriu dhe fytyra më tradhtoi. Nuk munda ta fsheh reagimin. Ato, çuditërisht, e kuptuan mimikën time, dhe njëra prej tyre ma ktheu me shaka:
— Ju ndoshta keni më shumë frikë makinën sesa avionin?
Qesha dhe ktheva kokën nga dritarja, duke u treguar me gisht:
— E shihni atë rrugën që shtrihet nga bregdeti deri te aeroporti? Ajo është autostrada më e rrezikshme në planet.
U shpjegova që për mijëra shqiptarë, makina është dashuria e jetës. Madje, shumë prej tyre kalojnë më shumë kohë në lavazh sesa në punë. U thashë që jeta e disa shqiptarëve vërtitet rreth timonit të makinës, dhe e vetmja sfidë e tyre është të ecin më shpejt se të tjerët në rrugë. U thashë se çdo 100 metra në autostrad gjen nga një “budalla” që parakalon në krahun e kundërt. U thashë se çdo dy minuta të afrohet nga pas një fshatar me “kokën me gjashtë cepa”, që të bën dritat blic-blic, duke të kërkuar të lëshosh rrugën, sikur po i pengon garën. U thashë që ata me Range Rover apo GL nuk i ndalon policia sepse janë djemtë e biznesmenve ose dashnoret e politikanve. U thashë se ajo rrugë, ndonëse vetëm 30 kilometra, ka më shumë pika karburanti sesa autostrada Berlin–Pekin, e gjatë 8000 km. U thashë se aty ka më shumë gropa sesa në rrugët rurale të Nigerisë apo Kamerunit, dhe nuk krahasohet dot as me rrugët moderne që lidhin Egjiptin me Tanzaninë.
Pastaj shtova se kjo “autostradë” është si Kalaja e Rozafës: ndërtohet ditën dhe prishet natën. Edhe kur mbesat e tyre të vijnë në Shqipëri pas 30 vjetësh, kjo rrugë me shumë gjasa do të jetë ende kantier ndërtimi.
Në fund, u referova statistikave: kjo rrugë ka më shumë aksidente sesa rruga midis Kievit dhe Moskës — madje, çdo ditë.
Në atë moment, avioni u ul por disa dhjetëra shqiptarë duartrokitën sikur sapo kishin shpëtuar nga vdekja në ajër — dhe të gjithë pasagjerët e huaj qeshën të habitur.
Ndërkohë, mua më nisi ankthi. Sepse tani më duhej të hyja në autostradën e makthit. Thjesht… në ajër ndihesha më i sigurt sesa në rrugët e të marrëve.