Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin Imer Krrashi, i njohur edhe si Uka, i cili u ndalua pas një ndjekjeje të rrezikshme policore në zonën e Liqenit të Thatë.
“Ndjekje si në filma në Tiranë! 31-vjeçari përplasi 7 makina me armë në dorë – në gjykatë shpërthen në lot”

Krrashi akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të rendit, pasi gjatë përpjekjes për t’u arratisur, shkaktoi një aksident me disa automjete dhe një motor, duke plagosur një efektiv policie jashtë orarit të punës dhe bashkëshorten e tij.
Sipas policisë, 31-vjeçari refuzoi të ndalonte kur u pyet nëse mbante armë dhe u largua me shpejtësi, duke u kapur pas disa minutash ndjekjeje. Në mjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një pistoletë.
Para trupit gjykues, i riu kërkoi falje për veprimet, duke u shprehur se kishte qenë në “gjendje paniku dhe ankthi” për shkak të gjendjes familjare.
“Jam penduar. Kam qenë në depresion, nëna ime vuan nga kanceri dhe babai ka ndërruar jetë. Marr mjekime për ankthin dhe isha në gjendje të rënduar,” – tha Krrashi në sallë gjyqi.
Burime nga drejtësia bëjnë me dije se Imer Krrashi nuk është emër i panjohur për policinë, pasi më herët është dënuar në Itali si pjesë e grupit kriminal të Edison Pulës, i përfshirë në disa grabitje, përfshirë edhe një rast të bujshëm në vilën e biznesmenit italian Giancarlo Miotto në vitin 2021.