Agjërimi i ndërprerë është bërë trendi më i madh dietetik i dekadës, duke premtuar përfitime shëndetësore pa nevojën e numërimit të kalorive ose kufizimit të karbohidrateve. Thjesht ndryshon koha kur hani, jo domosdoshmërisht atë çfarë hani. Ndër të njohurit që e praktikojnë janë figura të teknologjisë dhe yje të Hollivudit. Madje, ish-kryeministri britanik Rishi Sunak ka treguar se nisi javën e tij me një agjërim 36-orësh.
Ndikimet e agjërimit të ndërprerë, përfitime apo rreziqe për zemrën? Studimi i ri ngre shqetësime

Hulumtimet e mëparshme sugjeronin se zgjatja e agjërimit gjatë natës mund të përmirësojë metabolizmin, të ndihmojë riparimin qelizor dhe potencialisht të zgjasë jetën. Por nutricionistët paralajmërojnë se heqja e vakteve nuk është zgjidhje magjike dhe mund të jetë e rrezikshme për ata me sëmundje të mëparshme.
Agjërimi i ndërprerë zakonisht kufizon kohën e të ngrënit në rreth 8 orë, duke lënë një boshllëk prej 16 orësh pa ushqim. Të tjera dieta me kohë të kufizuar, si plani 5:2, kufizojnë kaloritë në ditë të caktuara dhe jo në orë.
Por një studim i madh i ri, i bazuar në të dhënat e më shumë se 19 mijë të rriturve, tregon një rrezik të shtuar për shëndetin e zemrës. Ata që kufizuan ngrënien nën 8 orë në ditë përjetuan një rrezik 135% më të lartë për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare krahasuar me ata që hëngrën gjatë 12-14 orëve.
Rreziku i shtuar për zemrën ishte i qëndrueshëm pavarësisht moshës, gjinisë apo stilit të jetesës, dhe ishte më i lartë tek duhanpirësit dhe personat me diabet ose sëmundje ekzistuese të zemrës. Megjithatë, lidhja me vdekjet nga çdo shkak tjetër ishte e dobët dhe e pasigurt.