“Misteri i syrit të nxirë të Ndrea Prendit rikthehet: Ja çfarë tha Berisha!”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u thirr nga SPAK dhe u mor në pyetje për më shumë se dy orë në lidhje me hetimet për ngjarjet e 21 janarit. Pas daljes nga seanca, ai u përball me pyetjet e gazetarëve, të cilët kërkuan sqarime për disa nga pikat më të diskutueshme të dosjes.

Një nga pyetjet iu drejtua për shfaqjen e ish-shefit të Gardës, Ndrea Prendi, me sy të nxirë një ditë pas protestës. Berisha u përgjigj se ngjarja duhet shpjeguar nga vetë personi që e ka përjetuar, duke theksuar se Prendi kishte qenë gjatë gjithë ditës në krye të detyrës dhe sipas tij, kishte bërë “të pamundurën” për të përmbushur detyrimet ligjore.

I pyetur se kush kishte dhënë urdhrin për përdorimin e fishekëve luftarakë dhe jo atyre të manovrës, Berisha e mohoi ekzistencën e një urdhri të tillë, duke thënë se “ai urdhër është vetëm në mendjen tuaj”.

Edhe për audion e përfolur në media, Berisha u shpreh shkurt se bëhej fjalë për “trillime”, duke e konsideruar të pavërtetë çdo pretendim të ngritur.