Një tragjedi u regjistrua pasditen e së enjtes në Pirg, ku 14-vjeçarit Erald Xhejo ju mor jeta në moshën më të bukur nga dora e bashkëmoshatarit të tij.
Mes lotësh dhe hidhërimit të madh i jepet sot lamtumira e fundit Eraldit që ju pre jeta në mes nga bashkëmoshatari i tij!

Adoleshenti u godit me thikë nga i riu tjetër, Enedio Guri. Ngjarja e rëndë u regjistrua në një lokal në fshatin Pirg të Maliqit ku dy djemtë e kishin lënë që të “sqaroheshin”.
Por, fatkeqësisht ky takim mes dy të rinjve, përfundoi me një të vdekur. Pavarësisht ndihmës së bluzave të bardha, Eraldi nuk ia doli të mbijetonte duke zhytur në dhimbjen më të thellë nënën, babain dhe vëllain e tij, të cilët pasditen e kësaj të premte do ta përcjellin për në banesën e fundit.
Ceremonia mortore do të mbahet pasditen e ditës së sotme në orën 16:00. Me shpirtin të bërë copash, familjarët dhe miqtë do t’i japin lamtumirën e fundit Eraldit, i cili në moshën më të bukur iku padrejtësisht nga kjo botë.
Kujtojë se ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 17:30 të pasdites të së enjtes në ambientet e një lokali në Pirg. Ashtu sikurse bëmë me dije edhe më herët viktima është nga fshati Zvirinë, ndërsa autori nga fshati Leminot, dhe të dy e kishin lënë që të takoheshin për t’u sqaruar në fshatin Pirg.