Merret vendimi për 23-vjeçarin që shkaktoi aksidentin tragjik në Sarandë

Një ditë pas aksidentit tragjik në aksin Sarandë–Delvinë, ku humbën jetën dy motrat Rozina dhe Ela Dhimaku dhe mbeti e plagosur rëndë shoqja e tyre, Antonela Zhupa, Gjykata e Sarandës ka dhënë vendimin për masën e sigurisë ndaj 23-vjeçarit Kevin Norra, drejtuesi i automjetit që shkaktoi ngjarjen.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar paraditen e së hënës, prokurorja e çështjes Besjana Sadikaj kërkoi masën e arrestit me burg, kërkesë që u pranua nga gjykata.

Norra u ndalua menjëherë pas aksidentit të rëndë të së dielës, pasi nga testet e kryera rezultoi se drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit. Gjithashtu, hetimet paraprake kanë treguar se ai kishte kryer edhe një parakalim të gabuar, i cili çoi në përplasjen fatale.

Tragjedia që i mori jetën dy të rejave ka tronditur opinionin publik, ndërsa pritet që hetimet të zbardhin të gjitha detajet e plota të aksidentit.

More posts