Një tjetër i moshuar në Korçë u gjet i vdekur në banesë. Kishte disa ditë që kishte ndërruar jetë. Ishte vetëm, pasi fëmijët kishin emigruar me kohë. Para pak ditësh, një burrë u gjet gjithashtu i vdekur në shtëpi, madje disa muaj pasi kishte ndërruar jetë. Edhe ai i vetmuar. Por jo vetëm në Korçë. Nuk janë raste sporadike. Po shtohen shumë madje.
Mentor Kikia: Kështu do të ‘ngordhim’ të tërë!

Emigrimi masiv i rinisë që nisi në vitet 1990 dhe vazhdon ende, pasi kontribuoi për të ndërtuar shtëpi të bukura e të mëdha, për të blerë makina e për të ndikuar në rritjen e nivelit të jetesës së familjeve në Shqipëri, tashmë po shfaq frikshëm pasojat sociale.
Në shtëpitë e bukura që ndërtuan djemtë e vajzat emigrantë, po vdesin të vetmuar prindërit. Familjet ku jetojnë vetëm dy prindër janë thuajse shumicë në fshatra e qyteza të vogla. Nuk dëgjohen më zëra fëmijësh që qajnë, por vetëm zëra qensh që lehin.
55-65 vjeçarët e sotëm, të cilët i gëzohen faktit që fëmijët e tyre “janë sistemuar” në vendet e Europës, brenda një dekade nuk do të kenë fuqi të marrin as ilaçet vetë e nuk do ketë kush t’u japë një gotë ujë.
Shqipëria nuk është vetëm vendi me plakjen më të shpejtë të popullsisë në Europë. Ajo kërcënohet masivisht nga një moshë e tretë e vemtuar. Ata nuk mund ti ndjekin fëmijët nëpër botë. E fëmijët nuk mund të kthehen në shtëpi, pasi janë bërë prindër atje ku shkuan fare të rinj.