Një ngjarje makabre ka ndodhur të dielën, më 28 shtator 2025, pranë qytetit Anderlecht në Belgjikë. Një trup i pajetë u gjet i varur në pjesën e pasme të një tabele rrugore përgjatë një autostrade. Fillimisht kalimtarët menduan se ishte një dekorim për Halloween, por shpejt u zbulua se bëhej fjalë për një vrasje të paramenduar.
“Menduan se ishte dekor për Halloween” – Zbulohet e shkuara e errët e viktimës shqiptare në Belgjikë

Viktima është identifikuar si Bekim Halilaj, 29 vjeç, me origjinë nga Kukësi. Trupi i tij ishte lidhur me një litar ose kabllo, një metodë ekzekutimi që ka ngritur dyshime për përfshirje të grupeve të krimit të organizuar, ngjashëm me praktikat e karteleve meksikane të drogës.
Mediat vendase dhe britanike raportojnë se një Bekim Halilaj ishte më parë i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar për trafik të lëndëve narkotike në vitin 2017, ku ishte arrestuar për shpërndarje kokaine me vlerë mbi 4 milionë paund dhe ishte dënuar me 7 vite burg. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse viktima në Belgjikë është i njëjti person, por autoritetet po hetojnë lidhjet e mundshme me të kaluarën kriminale dhe një konflikt mes grupeve kriminale ndërkombëtare.
Hetimet janë në vijim dhe pritet që në ditët në vijim të zbulohen më shumë detaje.