Një vizitë me tone të forta luksi dhe diplomacie ka mbërritur këtë fundjavë në jug të Shqipërisë. Zëvendëskryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ka zgjedhur vendin tonë për ndalesën e tij të radhës, duke ardhur me jahtin e tij superluksoz “Opera”, një prej mjeteve lundruese më të shtrenjtë në botë.
Me pantallona të shkurtra, Rama dhe Balluku kapen ‘mat’ me miliarderin arab ne JUG, cfare ndodhi mes tyre (Video)

Jahti është ankoruar në ujërat e Dhërmiut, nga ku një skaf privat e ka transportuar Al Nahyan drejt portit të resortit prestigjioz “Kep Merli” në Sarandë. Udhëtimi është shoqëruar nga mjete të Policisë së Shtetit dhe eskortë detare, në një nivel sigurie të lartë, raporton VoxNews.al.
Në Kep Merli, zyrtari i lartë nga Abu Dhabi – djali i themeluesit të Emirateve, sheikut të ndjerë Zayed bin Sultan Al Nahyan – është pritur nga vetë Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu. Pamjet e siguruara tregojnë një atmosferë joformale, ku kryeministri shqiptar shfaqet i veshur me rroba plazhi, kapele kaubojsi dhe syze dielli, duke e kthyer takimin diplomatik në një moment të rrallë për t’u parë.
Kjo është vizita e dytë e Al Nahyan në Shqipëri, pas një ndalese të mëparshme ku janë diskutuar bashkëpunime ekonomike dhe investime strategjike. Sipas burimeve, takimi i kësaj here ka pasur më shumë karakter miqësor, por nuk përjashtohet që të jenë prekur edhe çështje të projekteve të ardhshme në infrastrukturë, turizëm dhe energji.
Pas një dreke të shtruar në resort, Rama është parë teksa e shoqëron mysafirin e tij deri në port, duke shkëmbyer batuta dhe duke i treguar me dorë drejt ishullit grek të Korfuzit, i dukshëm në horizont. Pamjet tregojnë një atmosferë të qeshur dhe miqësore mes palëve, duke dhënë një imazh të rrallë të marrëdhënieve të ngushta të Shqipërisë me një nga vendet më të fuqishme ekonomikisht në botë.