Tragjedi në Qafë Mali–Fierzë: 51-vjeçari humb jetën në humnerë
“Më falni që ju shqetësova…” – Fjalët e fundit të 51-vjeçarit që ra në humnerë rrëqethin zemrat!

Një aksident i rëndë rrugor ka marrë jetën e një 51-vjeçari mbrëmjen e djeshme në aksin “Qafë Mali–Fierzë”. Viktima, Prendush Kola, punonjës i mirëmbajtjes së rrugës, po kthehej në banesë kur mjeti i tij doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dardhës”.
Banorët e zonës, të alarmuar nga zhurma e makinës që ra në humnerë, nisën menjëherë kërkimet dhe rreth orës 22:00 gjetën Kolën me shenja jete. Sipas dëshmive, ai u ka kërkuar falje banorëve që i shqetësoi në atë orë të vonë. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, plagët ishin fatale dhe ai ndërroi jetë.
Për nxjerrjen e trupit të pajetë u angazhuan edhe zjarrfikësit e Fushë Arrëzit, të cilët e nxorën trupin rreth orës 01:00 pas mesnate. Automjeti i viktimës ende nuk është gjetur.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Fushë-Arrëzit, aksidenti ndodhi kur drejtuesi i automjetit dyshohet të ketë humbur kontrollin. Shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe ambulanca mbërritën menjëherë, por Prendush Kola nuk mund të shpëtohej. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.