Aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth ka hyrë në ditën e 7-të, me rreth 70 objekte të shembura deri më tani nga fadromat e IKMT-së, të mbështetura nga forcat e rendit. Edhe pse situata në terren paraqitet e qetë, tensionet mbeten të larta, dhe banorët nuk ndalen në përpjekjet për të ndalur aksionin.
Mblidhet “Kuvendi i burrave” në Theth: Çfarë vendosën ?

Një zhvillim i rëndësishëm u shënua përpara Kishës së Thethit, ku u mblodh Kuvendi i Burrave – një takim tradicional për të diskutuar mbi pasojat që ky aksion mund të ketë për të ardhmen e zonës. Banorët kërkojnë që qeveria të hapë një dritare dialogu dhe të mos shembë bujtinat që për shumë prej tyre përfaqësojnë një të ardhme ekonomike.
Zef Vladi, një banor i njohur i Shalës, foli për rëndësinë e kullave tradicionale:
“Këto shtëpi janë ndërtuar me djersë dhe mbrojtur me gjak. Ne nuk i kërkojmë falje ligjit, por një marrëveshje që respekton jetën dhe historinë tonë.”
Prifti i Thethit gjithashtu bëri një thirrje për dialog, duke nënvizuar nevojën për ruajtjen e harmonisë dhe traditës në këtë zonë të veçantë të Shqipërisë.