Skema piramidale XUEX ka prekur qindra qytetarë në qytetet e Divjakës, Lushnjës dhe rrethinat, duke mashtruar ata me premisa të marramendëse përfitimi monetar.
Mashtrimi me ‘XUEX’/ Detaje nga zbërthimi i skemës piramidale, punonjës të administratës të përfshirë

Sipas detajeve të zbuluara nga dosja hetimore, janë zbuluar më shumë detaje rreth funksionimit të kësaj platforme dhe personave të përfshirë në shpërndarjen e saj. Skema duket se ka përfshirë edhe individë nga nivele të ndryshme të shoqërisë, përfshirë punonjës të administratës lokale dhe qytetarë të zakonshëm, të cilët janë manipuluar për të investuar në platformën mashtruese.
Hetimet kanë treguar se Ereledio Sh., një shtetas nga Divjaka, është një nga individët e përfshirë në organizimin e këtij aktiviteti të dyshimtë. Ai ka krijuar një grup në aplikacionin “Telegram” për të rekrutuar pjesëmarrës në platformën XUEX. Ky grup përfshin pesë individë, të cilët kanë investuar shuma monetare që variojnë nga 1,000 deri në 5,000 dollarë.
Sipas hetimeve, personi në fjalë merr udhëzime nga një person të quajtur “Leo Smith”, i dyshuar për të qenë një shtetas britanik, i cili i fton pjesëmarrësit të bëjnë aktivitete të caktuara, si “like” në faqe specifike çdo ditë në orët 14:20 dhe 19:20. Çdo veprim i tillë i sjell atyre një përfitim 1% të investimit të tyre çdo ditë
Pjesëmarrësit, përveçse fitojnë nga ky aktivitet, mund të tërheqin investimet e tyre nëpërmjet llogarive bankare dhe platformave të tjera si Binance. Në këtë mënyrë, ata ndihmohen të transferojnë fitimet e krijuara nga XUEX në llogaritë bankare të nivelit të dytë në Shqipëri.