Ferdinant Rama ka folur për mediat pasi vëllai i tij u vra nga e bija 26-vjeçare e cila më pas inskenoi ngjarjen si aksidentale.
Ferdinant Rama ka deklaruar për mediat se kunata e tij, pra gruaja e viktimës, nuk e linte të fliste me të vëllain prej dy vitesh. Ferdinant Rama ka theksuar se vëllai i tij i ndjerë kishte shumë konflikte me bashkëshorten.
“E kemi ditur dhe më përpara, nuk shkonin, ajo thoshte nuk e dua burrin. Thoshte merreni dhe mbajeni ju, merrni pensionin e bëni çfarë të doni, unë nuk e dua. Çifti ka dy fëmijë, dy vajza. Unë e mësova nga kunata, lajmëroi gruan time e mori në telefon edhe tha që ka vdekur Anesti. Kam rreth 2 vjet e gjysmë që nuk flisja me vëllanë, se nuk na linte ajo të llafoseshim. E dija që nuk shkonin mirë. Pyesja vëllain tjetër, i them si është Anesti”, tregoi ai.
Anesti Rama u mbyt me tel nga vajza e tij ndërsa kjo e fundit në bashkëpunim me nënën e saj pastruan vendngjarjen dhe bënë kallëzim në polici për ngjarje aksidentale. Pas hetimeve, rezultoi se vajza 26-vjeçare në bashkëpunim me nënën e saj, vranë Anesti Ramën.
Detaje tronditës janë zbuluar në lidhje me krimin e rëndë në familjen në Fier, ku vajza 26-vjeçare ka mbytur me tel babain e saj 56-vjeç.
Ngjarja kriminale ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, por vajza Emanilda Rama sëbashku më nënën shtetasen V.R., 53 vjeçe, e kanë kallëzuar në polici si vdekje aksidentale.
Por versioni nuk ishte plotësisht bindës pasi Shërbimet e Policisë gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit, Anesti Rama, nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Krimin e bën edhe më tronditës, deklarata e vajzës e cila në dëshminë e saj në polici ka pranuar krimin pasi sipas saj i ati e trajtonte me shumë fanatizëm, duke mos e lejuar as të vishet në mënyrë bashkëkohore e as te argëtohet, një sjellje që i ushtronte shumë presion në përditshmërinë e saj.
Njoftimi i Policisë
Drejtoria Vendore e Policisë Fier/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje.
Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.
Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).
Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.
53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.
Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.