Historia e Levian Gogës, emigrantit shqiptar në Greqi, vazhdon të prekë zemrat e të gjithëve. Ai hyri në lumin Arahthos për të shpëtuar dy të mitur, 12 dhe 14 vjeç, të cilët po mbyteshin në ujërat e ftohta. Edhe pse arriti t’i nxjerrë nga lumi, djemtë fatkeqësisht nuk arritën të mbijetojnë, pasi pësuan vdekje klinike në spital.
Levian Goga rrëfen me lot në sy: “Do t’i bëj tatuazh dy fëmijët që nuk i shpëtova dot. I ndjej si të miët”

Por Leviani, i njohur tashmë si “heroi i Artës”, ka vendosur të bëjë një gjest prekës: të bëjë tatuazh portretet apo emrat e dy fëmijëve që tentoi të shpëtonte, si një kujtim i përjetshëm mbi zemrën e tij.
E bëra sepse mendova se ishte fëmija im aty brenda. Nuk bëra heroizëm. Bëra atë që më tha zemra. Do t’i bëj tatuazh, që t’i kem gjithmonë me vete,” – tha ai mes emocioneve në një intervistë për mediat greke.
Leviani thekson se nuk kishte aspak qëllime për famë apo përfitime. Lajmi se atij i është dhënë nënshtetësia greke, për shkak të aktit të tij të guximshëm, nuk e ndryshon mendimin e tij për motivin e vërtetë të asaj që bëri:
“Nuk e bëra për nënshtetësinë. Kam 20 vjet këtu. Herë me dokumente, herë pa. Kam ardhur 17 vjeç, tani jam 41. Ky është vendi ku kam jetuar. Greqia është si atdheu im i dytë.”
Ai ka falënderuar publikisht mjekët në Artë dhe Patra, dhe Ministrin e Shëndetësisë që e telefonoi për të shprehur mirënjohjen. Sa i përket gjendjes së tij shëndetësore, ai u shpreh se është më mirë, por ka ende pak ujë dhe gjak në mushkëri nga momenti kur u hodh në lumë.
Në një kohë ku shpesh dominon indiferenca, guximi dhe humanizmi i Levianit janë një kujtesë se heronjtë e vërtetë nuk vijnë gjithmonë me uniformë – por me zemër.