Lajm i trishtë! Mbyll sytë përgjithmonë artisti i madh shqiptar

Është ndarë nga jeta violinisti dhe pedagogu i shquar shqiptar, Robert Papavrami — një figurë emblematike e muzikës shqiptare dhe themelues i shumë talenteve që sot i japin jehonë emrit të Shqipërisë në skenat ndërkombëtare.

Akademia e Shkencave, përmes Komisionit të Përhershëm të Arteve, ka shprehur ngushëllimet më të thella për ndarjen nga jeta të artistit, duke i drejtuar një mesazh të ndjerë të birit të tij, violinistit me famë botërore Tedi Papavrami:

“Shkolla shqiptare e violinës sot është më e varfër me këtë humbje, por ngushëllohemi me trashëgiminë e pasur artistike që Ai la pas, dhe që ju, i dashur Tedi, po e çoni në lartësi të reja. Të rroni e ta kujtoni!”

Robert Papavrami, djali i doktorit Theodhor Papavrami, u rrit në një familje ku ndershmëria dhe detyra ishin udhërrëfyes. I njohur për shpirtin e tij të thellë artistik, ai u dallua si violinist dhe më pas si pedagog, duke udhëhequr me përkushtim dhjetëra breza nxënësish.

Edhe pas vendosjes në Francë, ku themeloi një shkollë të tijën, ai vijoi me pasion misionin e formimit të violinistëve të rinj, shumë prej të cilëve kanë arritur suksese në arenën ndërkombëtare.

Në nëntor të vitit 2014, ai u nderua nga Kryeministri Edi Rama me Medaljen e Mirënjohjes, për kontributin e tij të vyer në artin shqiptar.

More posts