Laborator droge në zemër të Tiranës – Policia zbarkon në Yzberisht, sekuestrohen sasi të mëdha narkotikësh dhe armë zjarri

Tiranë, 19 Gusht 2025 – Një laborator i mirëorganizuar për përpunimin dhe paketimin e lëndëve narkotike është zbuluar nga Policia e Tiranës në zonën e Yzberishtit, si pjesë e operacionit policor të koduar “Shape”. Gjatë ndërhyrjes, forcat policore kanë arrestuar në flagrancë 61-vjeçarin Sh. K., pronar i banesës ku zhvillohej aktiviteti i paligjshëm.

Gjetjet e sekuestruara nga Policia:

17 kg kanabis i përpunuar në formën e njohur si “çokollatë”, i ndarë në 69 pako të gatshme për tregtim; 22.5 litra vaj kanabisi, një formë më e koncentruar e lëndës narkotike; 65 gramë kokainë; Një armë zjarri tip pistoletë dhe një armë gjahu.

Vlera e përllogaritur e drogës së sekuestruar në treg kap shifrën e rreth 500 mijë eurove.

Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, në kuadër të masave për goditjen e kultivimit dhe trafikimit të drogës.

Autoritetet janë në ndjekje të personave të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet janë referuar për ndjekje penale në Prokurorinë e Tiranës.

More posts