Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të hënë në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku një person i armatosur ka hapur zjarr brenda sallës së gjyqit, duke shkaktuar panik dhe frikë mes të pranishmëve.
Kush janë babë e bir që u qëlluan me armë brenda sallës së gjyqit në Apelin e Tiranës

Sipas burimeve për Report TV, nga të shtënat ka humbur jetën gjyqtari Astrit Kalaja, një nga emrat me përvojë në sistemin gjyqësor shqiptar. Ai ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar.
Në këtë ngjarje janë plagosur edhe dy persona të tjerë, të identifikuar si Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët ndodheshin në sallë në momentin e të shtënave. Ata janë transportuar menjëherë drejt spitalit të Traumës, ku po marrin trajtim mjekësor dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar i sulmit është kapur dhe arrestuar në vendngjarje, ndërsa policia i ka sekuestruar armën e krimit. Forcat e rendit kanë rrethuar zonën përreth Gjykatës së Apelit dhe kanë nisur një hetim të gjerë për të zbuluar motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Sipas burimeve hetimore, po verifikohet nëse sulmi lidhet me një çështje gjyqësore që ishte në shqyrtim apo me motive të tjera personale. Ndërkohë, janë ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si autori ka mundur të hyjë i armatosur në ambientet e një institucioni të drejtësisë, që zakonisht ruhet nga forcat e sigurisë dhe pajiset me detektorë metalikë.