Rrugët e Tiranës u përmbytën këtë të martë për shkak të reshjeve intensive të shiut që nisën herët në mëngjes. Siç dallohet edhe nga pamjet, disa prej arterieve kryesore të kryeqytetit u mbuluan nga uji, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve.
“Kryeqyteti që u zgjua nën ujë – A është ky paralajmërimi i parë?”


Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, dita e sotme karakterizohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme në mbarë vendin. Reshjet e shiut kanë nisur në orët e para të mesnatës dhe kanë prekur fillimisht zonat veriperëndimore dhe pjesërisht qendrën e vendit, me intensitet të ulët deri mesatar.

Gjatë paradites, reshjet janë përhapur në të gjithë territorin, duke vazhduar me intensitet të ulët deri në orët e pasdites së vonë. Më pas, ato do të përqendrohen në Ultësirën Perëndimore dhe zonat veriore malore, ku parashikohet ndikim më i fortë.

Era do të fryjë e lehtë, me drejtim juglindje–jugperëndim dhe një shpejtësi mesatare prej 6 m/s. Në zonat bregdetare dhe lugina, ajo mund të arrijë përkohësisht deri në 10 m/s. Deti do të ketë një valëzim të lehtë, me forcë 1–2 ballë.
