Kodi i ri Penal/ Burg për këdo që kthen Ramën dhe Begajn në objekt talljeje

Si për koincidencë, Rama del në Facebook si Elton Ilirjani

Dikur në librat e Historisë mësonim për kohët e errëta kur një batutë e thjeshtë për udhëheqjen mjaftonte që tu kyçje në qeli. Sot, duket se kemi vendosur ta ribotojmë atë kapitull, por me dizajn të ri, të printuar me bojëra të ndritshme demokratike dhe me firmën moderne të Ulsi Manjës në fund të faqes.

Drafti i ri i Kodit Penal përmban një nen që do të ishte për të qeshur nëse nuk do të ishte real: tallja me Presidentin, Kryeministrin apo Këshillin e Ministrave dënohet me burg deri në tre vite. Shikoni nenin:

Neni 235 në Kodin e Ri Penal

Përdhosja e Republikës dhe simboleve të saj

1. Përdhosja e Himnit Kombëtar, flamurit apo stemës së Republikës të ekspozuara në institucionet shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj ose, jo më pak se sa dy dënime plotësuese kur çmohet se arrihet qëllimi i dënimit penal nëpërmjet tyre.

2. Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri  në tre vjet.

3. Përdhosja publikisht e Kombit Shqiptar, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.

4. Nëse përdhosja sipas paragrafëve më sipër, kryhet gjatë një feste publike ose ceremonie zyrtare, dënohet me burgim deri në katër vjet.

5. Për qëllim të këtij ligji me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë.

Në një vend ku miliona euro zhduken nga fondet publike pa asnjë përgjegjës, ku inceneratorët mbijnë si kërpudhat pas shiut dhe ku SPAK heton krimin zgjedhor të 2021-shit, qeveria gjen kohë të merret me ata që bëjnë batuta. Duket se për pushtetin janë të rrezikshëm qytetarët që guxojnë të thotë se Presidenti Begaj ka bërë më shumë selfie sesa fjalime.

Rasti konkret: Rama me syzet e kuqe të Elton Ilirjanit

Dhe si për koincidencë, pikërisht sot kur mësojmë se tallja me udhëheqjen do të dënohet me tre vite burg, Edi Rama shfaqet LIVE në Facebook me një palë syze të kuqe që dukshëm janë model për gra, dhe flet për 20 minuta me seriozitetin e zakonshëm teatral. Me atë ton solemn e të ngjeshur si të lexonte preambulën e Kushtetutës, kryeministri me ato syzet shkonte më shumë si një personazh i “Portokallisë” sesa si shef qeverie.

Tani, si mund të mos reagosh me humor? Si të mos bëhet meme kjo pamje? A nuk ngjan Rama me influencerin e njohur Elton Ilirjani?

Ky është kulmi i pasigurisë së pushtetit, kur frikësohet nga zhurma e qeshjes. Sepse një meme e goditur, një status thumbues, një duet satirik në TikTok, i kanë bërë më shumë dëm propagandës qeveritare sesa çdo protestë me pankarta të mbushura nga militantët klasikë.

Shqipëria që po ngre ky Kod Penal nuk është as europiane, as demokratike. Është një shtet autoritar me buzëqeshje fasle. Në vend të shtetit ligjor, kemi shtetin që qesh me veten, por vetëm kur i bën vetë batutat.

Dhe kështu, ndërsa shqiptarët largohen nga vendi për një jetë më të mirë, qeveria mbetet këtu, duke mbrojtur institucionet me ligje si skenar i një parodie të keqe. 

More posts