Klinikë estetike e bllokuar në Tiranë, funksiononte me kuzhinier në krye dhe i shkaktoi shtetit mbi 1 milion euro evazion

Klinika estetike “International Medicare”, që operonte në qendër të Tiranës dhe ishte pjesë e rrjetit “Sante Plus Group”, është bllokuar nga policia vetëm pak ditë më parë. Hetimet kanë zbuluar se për më shumë se një vit, kjo klinikë ka funksionuar tërësisht në mënyrë të paligjshme, duke i shkaktuar shtetit evazion fiskal mbi 1 milion euro dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin e dhjetëra pacientëve.

Në vend të mjekëve dhe kirurgëve të licencuar, drejtimin e klinikës e kishte marrë një kuzhinier. Gjatë operacionit të koduar “Bilanci”, forcat e Policisë së Tiranës arrestuan administratorin formal të klinikës, 62-vjeçarin Edmond Zaja, i cili në realitet ishte kuzhinieri i saj. Ai pritet të dalë të hënën para Gjykatës për masën e sigurisë.

Ndërkohë, dy bashkëaksionerët e tjerë, shtetasi turk Bilal Kara dhe shtetasja shqiptare Geriana Arapi, janë shpallur në kërkim dhe dyshohet se ndodhen jashtë vendit. Në ambientet e klinikës, hetuesit sekuestruan:

100 blloqe me fatura të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të ndaluara, të skaduara dhe kontrabandë, të cilat përdoreshin për ndërhyrje estetike si botox, fillera dhe transplant flokësh.

Pagesat kryheshin vetëm në cash, pa fatura, ndërsa punonjësit paguheshin në dorë dhe pa sigurime. Pas luksit dhe fasadës moderne, klinika fshihte një skemë mashtrimi multimilionesh dhe një rrezik të madh për jetën e pacientëve.

Një prej aksionerëve kryesorë, Bilal Kara, nuk është emër i panjohur. Ai rezulton të jetë Konsull Nderi i Maqedonisë së Veriut në Izmir, kryetar i Këshillit të Biznesit Turqi–Maqedoni e Veriut në DEIK, si dhe anëtar i Dhomës së Tregtisë Shqipëri–Turqi. Aktualisht ai është në kërkim ndërkombëtar dhe autoritetet shqiptare janë në kontakt me partnerët për lokalizimin dhe ekstradimin e tij.

Klinika është bllokuar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe përgjegjësit realë pas këtij mashtrimi.

Ky rast nuk është thjesht një çështje evazioni fiskal, por një alarm i fortë për mënyrën se si biznese të rrezikshme mund të operojnë në mes të Tiranës, jashtë çdo kontrolli, duke vënë në rrezik shëndetin publik dhe duke cenuar integritetin e institucioneve shtetërore.

More posts