Banorët e Laçit, nën drejtimin e Frat Ndue Toplanës, kanë ngritur një shqetësim të madh lidhur me një projekt të papritur për ndërtimin e disa ndërtesave përballë Kishës së Shna Ndout, përfshirë një kriptë nëntokësore nën kishë. Ky projekt, i cili po lëviz pa asnjë transparencë, rrezikon të ndryshojë rrënjësisht natyrën e këtij vendi të shenjtë.
Kisha e Shna Ndout rrezikon identitetin shpirtëror, synohet zaptimi i saj me ndërtesa dhe bunker

Banorët kanë theksuar se nuk ka asnjë tabelë të projektit të zbatimit në Kishë, duke lënë të paqartë informacionin mbi ndërtuesin, vlerën financiare të projektit, apo kohën e realizimit.Ky projekt, i cili është njoftuar vetëm gojarisht, paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për Kishën e Shna Ndout, një monument i rëndësishëm shpirtëror për të gjithë.
Ndërtesat që do të ngrihen përballë kishës dhe kripta nëntokësore mund të dëmtojnë përfundimisht strukturën dhe identitetin e kësaj kishe të shenjtë, duke hequr nga ky vend përvojën shpirtërore të pelegrinëve. Kjo ndërhyrje do të ndryshonte gjithashtu pamjen historike dhe arkitektonike të këtij monumenti, duke i shkaktuar humbje të pashlyeshme trashëgimisë kulturore të Laçit.
Në këtë situatë, banorët e Laçit kërkojnë që projekti të ndalet menjëherë dhe të zhvillohet një konsultim publik i plotë për të siguruar transparencë dhe për të garantuar se ky vend i shenjtë ruan vlerat e tij të paçmuara. Banorët i kërkojnë Gjeneralit te Urdhrit Fretërve Minorë Fra Massimo Fusarelli të ndalojë projektin që rrezikon identitetin shpirtëror të Kishës së Shna Ndout në Laç.