Këngëtari i njohur dënohet me tre vjet e gjysmë burg

Këngëtari Sean Kingston është dënuar me tre vjet e gjysmë burg pasi u shpall fajtor për një sërë krimesh që i mundësuan të përfitonte mbi 1 milion dollarë në mallra.

Më herët këtë vit, Kingston dhe nëna e tij, Janice Turner, u shpallën fajtorë për të gjitha pesë akuzat që u ngritën ndaj tyre pas arrestimit në maj 2024.

Duoja nënë e bir u gjetën fajtorë për mashtrim financiar përmes një skeme që u lejonte të përfitonin para dhe mallra nga shitoret e makinave, disa banka dhe një kompani dyshekësh. Kingston, emri i vërtetë i të cilit është Kisean Anderson, shpërtheu në lot ndërsa verdikti lexohej në gjykatën federale të Fort Lauderdale në mars.

Ai gjithashtu bëri një lutje të shkurtër me tre fjalë për autoritetet teksa Turner u mor në paraburgim federal nga US Marshals, duke thënë: “mbrojeni nënën time.”

Turner u dënua në korrik me pesë vjet burg dhe tre vjet lirim me kusht, ndërsa avokatët e Kingston kërkuan që ai të vendosej në arrest shtëpie për shkak të natyrës jo të dhunshme të krimit dhe faktit se kishte shlyer shumicën e dëmeve. Megjithatë, gjykatësi nuk mori parasysh kërkesën dhe e dënoi me mbi tre vjet burg.

Arrestimet e tyre në vitin 2024 kishin lidhje me një padi civile të ngritur kundër Kingston nga Ver Ver Entertainment LLC në shkurt të atij viti. Ata kërkonin dëmshpërblim për shkelje kontrate dhe mashtrim, pasi Kingston kishte porositur një televizor gjigant 232 inç dhe një sistem zanor për shtëpinë e tij.

Për të marrë një çmim më të ulët prej 111,000 dollarësh, Kingston kishte premtuar se do të realizonte reklama promovuese së bashku me këngëtarin Justin Bieber. Por reklamat nuk u bënë kurrë dhe Bieber nuk kishte qenë asnjëherë i përfshirë.

Në gjykatë, viktimat dëshmuan se Kingston dhe e ëma i kishin mashtruar duke u marrë një Cadillac Escalade të blinduar, një televizor Colossal dhe qindra mijëra dollarë në ora luksoze.

Më herët, çifti ishte paditur me sukses dhe ishte urdhëruar të paguante mbi 300,000 dollarë në dy raste të veçanta mashtrimi.

More posts