Ditën e sotme në Gjykatën e Vlorës është mbajtur seanca për 5 efektivët e policisë të cilat ishin në detyre në Potam ditën kur tragjikisht u vra 7-vjeçarja Jonada Avdiaj.
Jonada e vogël humbi jetën, Gjykata e Vlorës shpall të pafajshëm 5 efektivët e policisë. familjarët ‘E padrejtë!’

Gjykata e Vlorës ka shpallur të pafajshëm pesë efektivët e policisë të akuzuar për shpërdorim detyre, ndërsa familjarët e vogëlushes e kanë quajtur këtë vendim të padrejtë.
Në seancën përfundimtare, prokurorja kërkoi dënimin e secilit prej tyre me nga 1 vit e 6 muaj burg, por Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë i shpalli të gjithë të pafajshëm.
Gjyshi i së ndjerës, Ismet Avdiaj, mbajti fjalën e tij në sallën e gjyqit. Pas përfundimit të seancës, ai u shpreh se ndihet thellësisht i zhgënjyer nga drejtësia. Sipas tij, të gjitha pretendimet që ai paraqiti gjatë procesit nuk u morën parasysh, dhe vendimi i gjykatës për të shpallur të pafajshëm efektivët e akuzuar është zhgënjyes dhe i padrejtë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në plazhin e Potamit, në Himarë. Jonada Avdiaj vetëm 7 vjeç, humbi jetën tragjikisht pasi u godit për vdekje nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase, teksa ajo po lahej në breg të detit së bashku me babain e saj.