“Jam nga Gjakova, jam nga Kosova – shqiponja ishte përgjigjja ime”

Është publikuar pamja që tregon momentin kur sportisti nga Kosova, Shkëlzen Goqi, bën kërcimin e tij nga “Ura e Vezirovit” në Podgoricë – duke shoqëruar hedhjen me një gjest të njohur për shqiptarët: simbolin e shqiponjës dy-krenare.

Videoja, e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, dokumenton qartë çastin kur Goqi bën shenjën me duar para se të hidhet nga lartësia – një gjest që më pas u interpretua si “provokues” nga organizatorët dhe që solli diskualifikimin e tij nga gara tradicionale e kërcimeve në ujë, të mbajtur të dielën në kryeqytetin e Malit të Zi.

Shkëlzen Goqi, një emër i njohur për publikun kosovar dhe i vlerësuar për aftësitë e tij në kërcime ekstreme, është me origjinë nga Gjakova. Ai theksoi se nuk kishte qëllim tjetër përveçse të shprehte përkatësinë e tij kombëtare.

Jam nga Gjakova, jam nga Kosova, dhe këtë nuk ma heq askush. Shqiponja ishte përgjigjja ime”.

Diskualifikimi i tij ka nxitur shumë reagime dhe komente mbështetëse në rrjetet sociale, ku qytetarë, sportistë dhe figura publike kanë cilësuar ndëshkimin si i padrejtë dhe politik. Për shumë shqiptarë, gjesti i Goqit nuk është provokim, por shprehje e identitetit kombëtar, e njëjtë me mënyrën se si sportistët shqiptarë e kanë përdorur simbolin e shqiponjës në ngjarje ndërkombëtare.

More posts