Në rrjetet sociale ka shpërthyer debati pas deklaratave dhe thashethemeve se Mira Murati, inxhinierja shqiptare dhe një nga figurat kryesore në zhvillimin e inteligjencës artificiale, ka refuzuar një ofertë marramendëse nga CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg. Sipas raportimeve, Zuckerberg kishte tentuar të blinte startup-in e saj të inteligjencës artificiale me një ofertë që kapte shifrën e 1 miliard dollarëve, por Murati dhe ekipi i saj zgjodhën të mos e pranojnë këtë marrëveshje.
Ironia e gazetares Desada Metaj: “Mira Murati, refuzon miliardat e Zuckerberg dhe pranon 10 milionë euro nga Edi Rama?”

Por ky pretendim nuk mbeti pa reagime nga pala tjetër. Andy Stone, drejtori i komunikimit të Meta-s, e ka përgënjeshtruar publikisht deklaratën e Muratit, duke thënë se Meta nuk ka bërë asnjë ofertë të tillë miliardere për startup-in e saj. Ky zhvillim ka shtuar edhe më shumë polemikat, duke hedhur dyshime mbi vërtetësinë e deklaratës së Muratit dhe motivet pas saj.
Ndërkohë, në anën tjetër, në media po qarkullon lajmi se qeveria shqiptare, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ka ofruar një mbështetje prej 10 milionë eurosh për projektet e Mira Muratit. Ky lajm ka ngjallur reagime të ndryshme: disa e shohin si një investim të mirëpritur për zhvillimin e teknologjisë në Shqipëri, ndërsa të tjerë e shohin me dyshim dhe e cilësojnë si një manovër politike.
Komentet ironike nuk kanë munguar. Gazetarja Desada Metaj reagoi me sarkazëm në rrjetet sociale duke shkruar:
“Si refuzoi Mira Murati 1 miliard dollarë nga Zuckerberg dhe si i pranoi 10 milionë euro nga qeveria Edi Ramës. Aman, mos na bëni me se është vapë akoma.”