I shpëtoi vdekjes shtatë herë, historia e pabesueshme e burrit që fitoi lotarinë pas një jete plot peripeci

Frane Selak, një mësues muzike nga Kroacia, është cilësuar si njeriu më me fat në botë pasi përjetoi dhe i mbijetoi shtatë aksidenteve vdekjeprurëse gjatë jetës së tij, përpara se të fitonte lotarinë në moshën 74-vjeçare.

Historia e tij ka bërë xhiron e botës dhe ngjan më shumë me një skenar filmi sesa me realitet.

Gjithçka filloi në janar të vitit 1962 kur treni me të cilin udhëtonte nga Sarajeva për në Dubrovnik doli nga shinat dhe u përplas në një lumë të akullt. Ai u shpëtua nga një i huaj, ndërsa 17 pasagjerë humbën jetën.

Vetëm një vit më vonë, në udhëtimin e tij të vetëm me avion, dera e kabinës u hap dhe ai u hodh jashtë bashkë me një tjetër pasagjer, duke rënë mbi një kashtë që i shpëtoi jetën. Avioni u rrëzua dhe vrau 19 persona.

Në vitin 1966, një autobus ku ndodhej ra në lumë dhe vdiqën katër persona, por Frane notoi deri në breg me plagë të lehta. Në vitin 1970 makina e tij shpërtheu në flakë ndërsa po e drejtonte, por ai arriti të dalë përpara shpërthimit.

Në vitin 1973 një tjetër makinë e tij mori flakë për shkak të një defekti dhe ai u dogj në flokë, por shpëtoi përsëri. Në vitin 1995 u përplas nga një autobus në rrugët e Zagrebit, përsëri me dëmtime të lehta.

Në vitin 1996 devijoi për të shmangur një aksident dhe ra me makinë nga një shkëmb i lartë 90 metra, por ai u hodh nga dritarja dhe u kap në degët e një peme, duke shpëtuar mrekullisht. Dhe si të mos mjaftonte fati i tij i jashtëzakonshëm, në vitin 2003 ai bleu një biletë lotarie dhe fitoi plot 900,000 dollarë.

U martua për herë të pestë dhe jetoi i qetë deri në vitin 2016 kur vdiq në moshën 86-vjeçare nga shkaqe natyrore. Historia e tij është komentuar gjerësisht dhe ka frymëzuar madje edhe një animacion të artistit David Ransom, i cili ka mbledhur miliona shikime në rrjete sociale.

Frane Selak mbetet një nga shembujt më të rrallë të fatit ekstrem, për disa një hero i mbijetesës, për të tjerë një simbol i mosdorëzimit ndaj jetës.

More posts