I kushtoi gjithçka vajzës, historia e Kreshnikut që preku zemrat e shqiptarëve

Më 24 gusht, Shqipëria u trondit nga një aksident i rëndë.

Një 17-vjeçar pa patentë, në timonin e një Range Roveri, goditi Kreshnikun teksa ecte në rrugë. Ai u shtrua me plagë të rënda dhe për dhjetë ditë me radhë luftoi në koma mes jetës dhe vdekjes. Por zemra e tij pushoi përgjithmonë.

Kreshniku nuk ishte një njeri i panjohur. Ai ishte babai i Nikitës, vajzës 10-vjeçare që u bë e dashur për publikun me videot e saj në TikTok, ku këndonte me ëndrrën për t’u bërë artiste.

Ishte pikërisht ai që ndante pafund momente virale të saj, duke e mbështetur me krenari dhe dashuri. Edhe pse jetonin thjesht, nga puna në sera dhe me shumë sfida ekonomike, ai kurrë nuk e ndali përkrahjen për vajzën. Për Kreshnikun, ëndrra e Nikitës vlente më shumë se çdo vështirësi.

Në një intervistë të ndjerë, ai kishte rrëfyer se dëshironte që fëmijët të ndiqnin pasionin e tyre dhe se do të bënte të pamundurën për t’i ndihmuar. Dhe Nikita, me lot në sy, kishte pranuar se babin e donte më shumë se çdo gjë dhe se meraku i saj më i madh ishte të mos ia prishte ëndrrën.

Familja Tomani ishte e thjeshtë, me tre fëmijë dhe me shumë sakrifica. Por ata e kishin ndërtuar jetën mbi dashuri dhe mbi besimin se sakrifica sjell fryte. Një jetë që ndryshoi për një çast.

Sot, Kreshniku nuk është më. La pas një bashkëshorte të pikëlluar, tre fëmijë dhe një ëndërr të papërfunduar. Por dashuria e tij për Nikitën dhe mbështetja që i dha vajzës së vogël do të mbeten përherë kujtimi më i fortë i një babai që nuk u dorëzua kurrë, as përballë vështirësive.

Ngushëllime për familjen Tomani dhe për të gjithë ata që u prekën nga kjo humbje e rëndë. 

More posts