Hapet brenda këtij viti”/ Balluku jep lajmin e mirë: Rruga e re…

Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Berat-Ballaban kanë avancuar ndjeshëm.

Është hapur traseja në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe po punohet paralelisht për ndërtimin e mureve mbajtës si dhe ndërtimi i shtresave. Ndërkohë që ka nisur edhe hedhja e binderit në kilometrat e parë të kësaj vepre. Aksi rrugor Berat-Ballaban nis në dalje të qytetit të Beratit dhe përfundon në fshatin pranë urës së Ballabanit.

Zv/kryeministrja, Belinda Balluku së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli dhe kryetarin e bashkisë Këlcyrë, Klement Ndoni, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e këtij aksi në zonën e bashkisë së Këlcyrës.

Impakti i kësaj vepre në të gjithë zonën ka nisur që me fillimin e punimeve, ku shumë prej banorëve kanë investuar në ngritjen e bujtinave të para, ndërsa përfundimi i aksit pritet t’i japë një zhvillim të gjithë zonës. Balluku theksoi se ky projekt, i cili prek dy qarqe dhe disa bashki, jo vetëm do të shkurtojë kohën dhe distancën e udhëtimit, por do të ketë një ndikim në të gjithë zonën me potenciale të mëdha bujqësore dhe turistike.

Referuar ecurisë së punimeve, Balluku tha se është e rëndësishme që kantieri të përfundojë brenda muajit tetor, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm kjo rrugë do të jetë një arterie e rëndësishme për turizmin.

More posts