Grupi i strukturuar kriminal në trafikun e kokainës/ Në pranga dhe partneri i vajzës së Majlinda Bregut

Një tjetër operacion i gjerë i SPAK ka goditur një rrjet të strukturuar kriminal që merrej me trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe. Në kuadër të këtij aksioni u arrestua Ermir Ndreaj, pronar i disa kompanive, përfshirë edhe atë me emrin Cinco. Ai u prangos në Palasë, teksa shijonte rrezet e diellit në një skaf luksoz. Pas arrestimit, policia ushtroi kontrolle në vilën e tij në jug dhe në një apartament luksoz në një zonë rezidenciale në Tiranë.

Në të njëjtin operacion u arrestua edhe Klevis Hoxhosmani, i cili rezulton pronar i të paktën dy kompanive, njëra prej të cilave e regjistruar në Londër. Hoxhosmani është në lidhje me Kejda Ajazin, vajzën e ish-deputetes Majlinda Bregu, e njohur në rrjetet sociale për postimet nga jeta luksoze në qytete si Dubai dhe Monako.

Grupi i strukturuar kriminal në trafikun e kokainës/ Në pranga

Ai ishte personi që ajo e etiketonte si “dashuria”, megjithëse nuk kishte identitet publik – si shumë prej të ashtuquajturve “çunat e Dubait”. Në pranga përfundoi edhe vëllai i tij, Artur Hoxhosman, ndërsa në Elbasan u arrestua Ilir Lloshi. Ndërkohë, Erion Alibejt dhe Plarent Dervishaj iu komunikuan akuzat në paraburgim, ku ndodhen për vepra të tjera penale.

Gjatë operacionit të zhvilluar nga SPAK u sekuestruan orë të shtrenjta, makina luksoze dhe bizhuteri. Rasti ka risjellë në vëmendje një fenomen të përsëritur: vajzat që reklamojnë jetën e luksit në rrjetet sociale, jo rrallë herë, rezultojnë të lidhura me persona që përfundojnë në hetim apo arrestim për aktivitete kriminale. Teksa debati për privatësinë është i pranueshëm, nuk mund të mohohet fakti që shumë të rinj dhe të reja bien viktimë e këtij iluzioni luksi që ka për bazë botën e errët të krimit. Në vend të jetës së ëndërruar, ekspozimi ndaj këtyre lidhjeve sjell rrezik, ndëshkim dhe një rrënim që shpesh ndodh shumë vonë për t’u shmangur.

More posts