“Gjykatësi britanik thumbon shqiptarët: ‘Duhet të ketë shumë të sëmurë në Shqipëri!’”

Një gjykatës britanik ka shprehur hapur skepticizëm ndaj justifikimeve të përsëritura që përdorin shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal, duke vënë në pikëpyetje gjendjen shëndetësore në Shqipëri.

Komentet erdhën gjatë një seance në Gjykatën e Lartë të Exeterit, ku po shqyrtohej rasti i Ilber Gjokës, 30 vjeç, i cili u kap në zonën e Barnstaple, Devon, me 11 qese kokainë dhe para cash. Gjoka deklaroi se ishte përfshirë në shpërndarjen e drogës për të shlyer një borxh dhe për të ndihmuar financiarisht babain e tij të sëmurë në Shqipëri.

I njëjti gjykatës, James Patrick, më herët po atë ditë kishte dënuar edhe një tjetër shtetas shqiptar, Argent Bala, për kultivim kanabisi. Duke vënë re ngjashmëritë në justifikime, ai reagoi me ironi:

“Duhet të ketë shumë njerëz të sëmurë në Shqipëri,” tha gjykatësi, duke shtuar sarkastikisht:

“Shqipëria nuk paska Shërbim Kombëtar Shëndetësor,” duke nënkuptuar se arsyet shëndetësore po përdoren rregullisht për të kërkuar ulje dënimi.

Ilber Gjoka, i cili nuk kishte precedentë penalë në Britani dhe pranoi fajin që në fillim, u dënua me 20 muaj burg për posedim droge me qëllim shpërndarjeje. Ai pritet të vuajë rreth 40% të dënimit, ndërsa më pas mund të deportohet nga Britania e Madhe.

More posts