Allahu ekber, Allahu ekber, …, Esh-hedu en la ilahe il-lall-lah, Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah …”.
Gjurmët e Islamit paraotoman, Kosova kishte xhami që në vitin 1289

Kjo thirrje po përhapej në fshatin Mlikë të Gorës në Dragash ende pa zbarkuar pjesëtarët e ushtrisë osmane këtë javë. Mirëpo, historianët pohojnë se kjo thirrje është dëgjuar në të njëjtin fshat qysh nga kohët e hershme, bile edhe para ardhjes së osmanëve në Ballkan.
Në këtë zonë malore thirrja e xhematit për faljen e namazit është bërë nga xhamia që besohet të jetë ndër faltoret e para të besimit islam në Ballkan. Si e tillë në bazë të fakteve historike të gjetura deri tani supozohet se themelet e saj janë vendosur në bazë të iniciativës së familjeve të ardhura nga Halepi i Sirisë, të cilët me vete kanë bartur edhe traditën shpirtërore, duke e ngujuar atë në këto bjeshkë, me ç’rast edhe kanë influencuar banorët lokalë.
Sipas historianëve janë disa elemente që bëjnë të besohet se ky objekt i kultit ka qenë i ndërtuar para ardhjes së osmanlinjëve dhe si i tillë dëshmon se Islami në këtë zonë ka filluar të praktikohet para pushtimit nga forcat e superfuqisë së atëhershme botërore.
“Mbishkrimi i Xhamisë në fshatin Mlikë flet se në këtë trevë islamizmi ka qenë prezent që në shekullin XIII, përkatësisht para pushtimit të Prizrenit (1459) dhe të rajonit nga Osmanët”, ka konfirmuar historiani Parim Kosova, njëherësh përgjegjës i kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.