Ish-drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit, Abigeila Voshtina, ka pranuar përpara hetuesve të SPAK se ka firmosur kontrata të paligjshme të iniciuara dhe të kontrolluara nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në dëshminë e saj lidhur me fondet e përdorura për “Festivalin Ndërkombëtar të Dancit”, Voshtina tregon se ka vepruar nën presion.
FUNDOSET AJOLA XOXA! “FIRMOSTE KONTRATA MILIONA LEKE ME PUSHTETIN E VELIAJT!”

Sipas saj, pas dy kontratave të shërbimit të firmosura me kompaninë “Rametal” të biznesmenit Elman Abule qëndronte Ajola Xoxa dhe qendra “Harabel”. “Kontratat janë hartuar me kërkesë të Ajolës. Ajo zgjodhi operatorin, përcaktoi shumën dhe zhvilloi të gjitha diskutimet financiare dhe teknike, duke përdorur një ekonomiste të qendrës ‘Harabel’. Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me përfaqësuesit e ’Rametal’,” deklaroi Voshtina.
Ajo thekson se dokumentet nuk ishin në përputhje me ligjin, por nënshkrimi i tyre erdhi si pasojë e presionit që Xoxa ushtronte duke përdorur autoritetin e bashkëshortit të saj, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sipas dëshmisë, aktiviteti edhe pse në letër organizohej nga Teatri Kombëtar në fakt ishte plotësisht i kontrolluar nga Ajola Xoxa.
Voshtina përmend gjithashtu një takim në Ministrinë e Kulturës, ku ishin të pranishëm Ajola Xoxa, koreografi Tim Newman dhe sekretarja e përgjithshme Zerina Bruci. Në këtë mbledhje u diskutua buxheti për shfaqjet “Sonoma” dhe “Gravity”, ku Ajola kërkoi që një shumë prej 240 mijë euro të menaxhohej nga “Harabel”, kërkesë që u kundërshtua nga Voshtina. Ajo tha se fondet publike duhet të administroheshin nga institucioni shtetëror, dhe jo një organizatë private.
Përplasjet mes tyre nuk ndalën këtu. “Kisha rezervuar disa rreshta për të ftuarit protokollarë, por Ajola i kishte shpërndarë biletat vetë, pa dijeninë e stafit të teatrit,” tha Voshtina.