Flori Mumajesi përlotë me dedikimin për nënën

Flori Mumajesi ka zgjedhur të ndajë një rrëfim prekës në ditëlindjen e tij të 43-të. Përmes një dedikimi të gjatë e të ndjerë, artisti rikthehet tek kujtimet me nënën e tij të ndjerë, duke e përshkruar këtë ditë jo si të vetën, por si një ditë të përbashkët.

“Dita e lindjes sime nuk është veç e imja. Është dita kur, mes lotësh dhe dhimbjesh, erdhi në jetë një djalë mbi katër kilogramë. Pas ditëve të numëruara një nga një, më 23 gusht një nënë lindi një djalë – me mua,” shkroi Flori.

Ai përshkroi me nostalgji vitet e para të fëmijërisë, duke kujtuar lojërat e thjeshta dhe momentet e dashurisë me nënën. “Mbaj mend si shkrihesha sa herë më merrte në prehrë, më vendoste këmbët mbi këmbët e veta, më ngrinte duart dhe këndonte: ‘ding dange, e ding dange’”.

Në dedikim, Flori nuk kurseu as detajet intime e plot ndjesi, si aromën e saj dhe ndjesinë e sigurisë që ajo i falte. “Deri vonë mbështetesha në gji, e përqafonja dhe e puthja nga këmbët deri në ballë. Kur zhytesha në qafë, ndonjëherë dëgjoja: ‘Jo, se jam me djersë’. Unë qeshja: ‘Po, më plasi bytha, mu se mos vjen erë djersa… vdes për këtë erë’”.

Në fund, artisti zgjodhi ta mbyllte me një urim që shkrin çdo zemër: “Edhe sot, herë pas here, për një çast më pak se një sekondë, ajo aromë kthehet sërish. Por tashmë nuk ka sy për t’a parë, as zë për të uruar: ‘Gëzuar ditën që më linde, ditëlindjen tonë’, duke kënduar: ‘ding dange, e ding dange…’”.

Ky mesazh i kthyer në poezi dhe plot mall për nënën e tij, ka emocionuar thellë ndjekësit e artistit, duke treguar edhe një herë lidhjen e pathyeshme mes një djali dhe nënës së tij.

More posts