Një histori e frikshme ka dalë në dritë nga Dubai, ku modelja ukrainase Maria Kovalchuk rrëfen tmerrin që përjetoi në një festë luksoze me të rinj të pasur rusë dhe ukrainas.
“Në fillim gjithçka dukej normale. Madje thirra mamin dhe i thashë: jam mirë, janë djem të qetë”, tregon Maria. Por brenda pak orësh, gjithçka mori kthesë dramatike.
Sipas saj, kur refuzoi të konsumonte alkool dhe të përfshihej në aktivitete seksuale, situata doli jashtë kontrollit. E ofenduan, e shtynë, i morën çantën dhe pasaportën.
Ajo u përpoq të largohej, por e ndaluan me forcë. Më pas, ia morën edhe rrobat. Në panik, Maria arriti të ikte dhe u fsheh në një ndërtesë të braktisur ndërtimi. Dy djem e ndoqën, e gjetën dhe e sulmuan në mënyrë brutale.
“Ma thyen shpinën, krahët, këmbët. Më lanë pa ndjenja… nuk e di sa ditë kam qenë në koma”, rrëfen ajo me lot në sy.
E gjetur më pas pranë rrugës, vetëm me një papillon në trup, Maria u dërgua në spital, ku mjekët luftuan për jetën e saj. Sot ndodhet në Norvegji, nën kujdesin e nënës së saj dhe lëviz me karrocë me rrota. Ajo pretendon se autoritetet në Dubaj kanë fshirë pamjet nga kamerat e sigurisë dhe kanë tentuar ta paraqesin ngjarjen si “tentativë vetëvrasjeje”.
“Nuk kam konsumuar alkool. Nuk kam bërë seks me askënd. Thjesht thashë jo, dhe më ndëshkuan për këtë”, shprehet ajo.
Një rrëfim që trondit dhe ngre shumë pikëpyetje për drejtësinë, sigurinë dhe heshtjen që shpesh shoqëron luksin.