Europa përgatitet për Luftën e Tretë Botërore? Franca urdhëron spitalet “të jenë gati”, Gjermania në gatishmëri për …

Spitaleve franceze u është kërkuar të bëjnë përgatitje për një luftë të mundshme në Europë, ndërkohë që Gjermania ka bërë të ditur se është në gatishmëri për konflikt të mundshëm për shkak të stërvitjeve ushtarake ruse.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazeta Le Canard Enchaîné, Ministria e Shëndetësisë në Francë u ka kërkuar institucioneve shëndetësore në të gjithë vendin të përgatiten për një ‘angazhim të madh’ të mundshëm deri në mars të vitit 2026.

Qeveria franceze po parashikon një skenar ku vendi do të luajë një rol mbështetës, me kapacitetin për të pritur një numër masiv ushtarësh të plagosur nga Franca dhe vende të tjera evropiane. Qëllimi i këtij urdhri është që të parashikohet, përgatitet dhe t’i përgjigjen nevojave shëndetësore të popullatës, ndërkohë që integrohen edhe nevojat specifike të mbrojtjes në fushën e shëndetësisë.

“Ndër rreziqet e identifikuara, është edhe hipoteza e një angazhimi të madh ushtarak, ku sfida shëndetësore do të jetë kujdesi ndaj një fluksi të madh viktimash nga jashtë. Kjo është çështje për sistemin tonë shëndetësor – të parashikojë trajtimin e pacientëve ushtarakë në sistemin civil të kujdesit shëndetësor”, thuhet në njoftimin e ministrisë franceze të Shëndetësisë.

Ky zhvillim vjen pas deklaratës së kreut të mbrojtjes gjermane, Carsten Breuer, i cili tha se NATO dhe forcat e Gjermanisë do të jenë në gatishmëri gjatë stërvitjeve ushtarake ruse.

Breuer theksoi se nuk pret që forcat e Vladimir Putinit të sulmojnë territorin e NATO-s gjatë stërvitjes Zapad 2025 në Bjellorusi, por shtoi se Gjermania “do të jetë në… gatishmëri”.

“Nuk kemi ndonjë tregues se po bëhen përgatitje për sulm nën maskën e kësaj stërvitjeje. Por ne do të jemi vigjilentë – jo vetëm forcat gjermane, por edhe NATO”, theksoi ai.

Këto zhvillime vijnë mes frikës globale se bota është në prag të një Luftë të Tretë Botërore, e cila, sipas shefit të NATO-s Mark Rutte, mund të shkaktohet nga Rusia dhe Kina. Ai paralajmëroi në korrik se sulmet e kombinuara nga liderët e Kinës dhe Rusisë mund të nxisin një skenar lufte botërore dhe ta çojnë planetin në prag të katastrofës.

Sipas Rutte-s, Kina do të përpiqet të pushtojë Tajvanin, ndërkohë që paralajmëron se shefi i Kremlinit, Putini, mund të sulmojë territorin e NATO-s – mes frikës se ai po synon shtetet baltike: Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të cilat dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik.

More posts