E hëna e 14 prillit ishte dita e fundit në liri për ish-kryetarin e Komunës së Bërxullës, Ymer Marku, i cili u arrestua pasi një hetimi të Prokurorisë së Tiranës që e gjeti se së bashku me dy vartës të tij dhe një qytetar kishin tjetërsuar 7500 metra tokë arë dhe më pas ia kishin shitur atë një kompanie për shumën 10 milionë lekë.
EKSKLUZIVE/ Ja pasuritë e fshehura të Ymer dhe vëllait me dy emra Marsel Sokol Markut, skema e grabitjes dhe përfshirja e familjarëve në krim, përse nuk sekuestrohen asetet?

Në një njoftim për shtyp, prokuroria bëri me dije se Ymer Marku, ish-kryeplaku Agim Loci dhe ish- Përgjegjësi i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, Kujtim Balliu kishin falsifikuar dokumentet dhe në shpërdorim të detyrës kishin tjetërsuar sipërfaqen e tokës duke ia kaluar të arrestuarit të katërt, Kujtim Allmeta. Por si qendron e vërteta e plotë? Sa metra I ka grabitur Ymer Marku familjeve Balliu dhe Elbelia për tja shitur më pas Arbër Abazit? Ku është çelësi I një bashkpunimi kaq të frytshëm midis Ymer Markut dhe Arbër Abazit? Sa pasuri të tjera të fshehura ka Ymer Marku dhe a do të jenë edhe ato objekt i sekuestros së Prokurorisë?
Historia e tokës së familjeve Balliu-Elbelia

Kjo sipërfaqë që duket në foto është toka e familjeve Balliu-Elbelia të cilët e kanë përfituar me AMPT origjinale si antarë të familjes bujqësore përpara vitit 1991.
Në vitin 2015 familjet Balliu-Elbelia kërkojnë pranë hipotekës të pajisen me çertifikatë pronësie për sipërfaqen prej 10,800 metra katrorë tokë, e cila i ishte konfirmuar edhe nga Këshilli i Qarkut si dhe nga ish kryetari i komunës. Por një ditë, pronarët e vërtetë informohen se prona e tyre, jo vetëm që kishte tjetër pronar, por edhe se ky pronari e kishte shitur dhe se tani pronar ishte bërë nipi i Sadri Abazit, Arbri i cili edhe kishte ndërtuar në tokën e tyre. Por si kishte ndodhur? Ish kryeplaku i Bërxullës, duke falsifikuar një AMTP, e kalon këtë siparfaqe toke në emër të nipit të tij Vath Muka. Vathi pasi u bë me pronë nga hiçi, ia shet këtë tokë shtetasit Tahir Shefki Cena. Ky blerës, pra Tahir Shefki Cena nuk është një blerës i rastësishëm, por është vetë djali i dajës së Ymer Markut. Pra, djali i dajës së kryetarit të Komunës Bërxullë, i bërë pronar i një prone të “blerë” jo vetëm në mënyrë të dyshimte por edhe duke i tjetërsuar pronësinë, ia shet bisnesmenit Arbër Abazi. Ky i fundit ndërton disa kapanone për nevojat e kompanive të veta, në tokën e familjeve Balliu-Elbelia.