Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu fjalët e drejtpërdrejta në emisionin “Sy m’Sy”, ku një komentues e akuzoi për një skenar të fshehtë: prishjet në Theth sipas tij po bëheshin për t’i hapur rrugë ndërtimit të resorteve luksoze nga oligarkët.
Edi Rama sfidon komentuesit: “Resortet në Theth? Trillime me sy të ngushtë!”

Por përgjigjja e Ramës ishte e prerë dhe pa ekuivok: “Fantazi e njerëzve me kënd të ngushtë shikimi!”
Kreu i qeverisë u shpreh se aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje është bërë për të mbrojtur autenticitetin e Thethit dhe se nuk ka asnjë plan për zhvillime të mëdha turistike në këtë zonë të mbrojtur.
“Në Theth nuk do të ketë as resorte, as hotele të mëdha, dhe as histori të tjera që nuk kanë lidhje me natyrën e vendit. Pastrimi u bë për të ruajtur atë që është e pazëvendësueshme,” – theksoi Rama.
Ai shtoi se çdo investim i mundshëm do të jetë i lidhur vetëm me banorët vendas, duke përjashtuar projektet gjigante që mund të ndryshojnë përfundimisht fizionominë e zonës.
“Thethi nuk është një fushë e lirë për biznesmenët. Çdo gjë që ndodh atje do të jetë me banorët, për banorët dhe në respekt të trashëgimisë,” – tha Rama, duke i quajtur komentet ndryshe “spekulime që lindin nga keqinformimi dhe paranoja”.