Edi Rama një palaço!” – Avokati shpërthen pas skandalit me policin që goditi kamarierin

Avokati Kujtim Cakrani, mbrojtës ligjor i policit të pezulluar Ardian Isufi, ka reaguar me tone të forta në lidhje me ngjarjen që tronditi opinionin publik në Vlorë, ku një 18-vjeçar u dhunua nga një efektiv policie jashtë shërbimit. Në një intervistë për emisionin “Now” në Euronews Albania, Cakrani mohoi kategorikisht që klienti i tij të ketë qenë personi që e goditi kamarierin.

Sipas tij, pamjet e publikuara në media janë të manipuluara me qëllim për të “sakrifikuar” efektivin Isufi. “Videoja është prerë. Nuk jepet e plotë, nuk tregohet dinamika. Kjo është bërë për të sulmuar policin dhe për të justifikuar dhunën e ushtruar ndaj tij nga një grup personash jashtë lokalit,” u shpreh Cakrani.

Ai shtoi se Ardian Isufi është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndodhet në reanimacion, ndërkohë që asnjë zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit nuk ka shkuar ta vizitojë apo të interesohet për të. “Kjo është e turpshme! Ai ka mbi 20 vite në shërbim dhe është braktisur,” tha avokati.

Cakrani nuk i kurseu akuzat edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur atë “palaço” dhe duke e akuzuar për ndërhyrje të panevojshme në një proces ende në hetim. “Palaço kryeministri që i hedh benzinë zjarrit! Në vend që të presë hetimet, del e jep urdhra për përjashtime dhe ndëshkime pa u provuar asgjë,” tha ai.

Avokati publikoi gjithashtu një tjetër video ku pretendon se klienti i tij është rrahur nga rreth 15 persona jashtë lokalit. Sipas tij, kjo pjesë e incidentit po fshihet nga media dhe autoritetet, ndërkohë që për dhunën ndaj kamarierit ai deklaroi: “Isufi i futi vetëm dy shpulla – as më shumë, as më pak!”

Ngjarja vijon të jetë në fokusin e publikut dhe institucioneve, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim. Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë zëra kërkojnë transparencë dhe drejtësi të plotë për të dyja palët.

More posts