E la si ‘pemë’ pa autograf, Egla i kthehet Moza Ahmetit

Një situatë aspak e zakonshme ndodhi në emisionin “Goca dhe Gra”, ku e ftuar ishte shkrimtarja ikonike Mimoza Ahmeti. Aktorja dhe opinionistja Egla Ceno, me sjellje të përulur dhe dashamirëse, i kërkoi Mimozës një autograf në librin që ajo kishte sjellë me vete. Por ajo që pasoi befasoi publikun: Ahmeti refuzoi ta firmoste, duke thënë se ishte një kopje personale pune dhe se nuk i dhuronte libra askujt.

Ngjarja ndezi diskutime në rrjet dhe u përjetua si një akt përçmues nga publiku. Por reagimi i vërtetë erdhi më vonë, përmes një letre të gjatë publike që Egla Ceno postoi në Instagram, e cila po bën xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale.

Letra fillon me një ironi të hollë:
“E dashur Moza, ose më saktë: Moza që u ngrit mbi dorëshkrimet e një epoke, që hëngri metafora me lugë floriri e na mësoi të mos i kërkojmë dedikim poetëve, sepse ata janë mbi ne – si retë, si mjegulla, si keqkuptimi.”

Egla zbulon se ndodhej në një situatë personale të vështirë kur vendosi të reagojë:
“Po të shkruaj një letër publike nga fundi i një shtrati spitali ku shtrirë është nëna ime, sepse… le të themi që ti e meriton.”

Në vijim, ajo përshkruan momentin e refuzimit me një ton përçues:
“Ti nuk ma dhe. Keqardhje? Jo. Habi? As që bëhet fjalë. Ti je artiste dhe siç e dimë tashmë, artistët nuk janë të detyruar të jenë njerëz.”

Egla vazhdon me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj sjelljes së autores:
“Nëse një lexues nuk e meriton një dedikim, pse ta marrë librin? Dhe nëse një autore nuk e sheh të arsyeshme të bëjë një dedikim, pse ta sjellë librin në televizor?”

Duke ironizuar stilin e Mimozës, ajo shkruan:
“Sepse, në fund të fundit, kjo është një simfoni hipokrizie e shoqëruar me simptoma të një narçizmi të veshur me ‘poezi’ dhe ftohtësi që as metaforat nuk e ngrohin dot.”

Në kulmin e reagimit, Egla i lë një mesazh të qartë:
“Ti nuk më le dot si ‘pemë’, më le si dikë që po i kërkonte dedikim dikujt që ka stil përbuzjen si art. Dhe ky është zhanër më vete.”

Letra mbyllet me një fjali që po citohet gjerësisht:
“Një lexuese që do poezi, por jo pa njerëzi.”

Ky reagim publik është përjetuar si një akt i fortë kundër elitizmit dhe arrogancës në botën e artit, dhe ka hapur diskutime të thella mbi kufirin mes gjenialitetit dhe mungesës së ndjeshmërisë njerëzore.

A do ketë një përgjigje nga Mimoza Ahmeti? Mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: kjo përplasje do të komentohet gjatë. /Prive By Liberta Spahiu.

More posts