Ilir Dako/ Udhëheqësi Ram thirri me urgjencë kabinetin qeveritar për ti njoftuar se ka ardhur koha të diskutojnë për axhendën e socialistëve dhe të qeverisë në Kuvendin e shtatorit. Takimi u la në Jalë në pronën e Xhillos, i cili mori përsipër të gjitha shpenzimet, drekën dhe sallën e mbledhjeve, pasi ndihej borxhli me Udhëheqësin për lejet e ndërtimit të kompleksit që ka ndërtuar pa leje. Të hënën në ora 09 30, Udhëheqësi Ram u ul në ambientin ku do të mblidhte qeverinë, krerët e partisë, kryetaren e kuvendit dhe atë të grupit Parlamentar dhe i dha urdhër kamarierëve për ti sjellë kafen e mëngjesit. Paralel i tha Fetahut që nëse shikonte Xhillon ti afrohej afër ti jepte ndonjë dackë fytyrës dhe mos ta lejonte të takonte ministrat e tij, për të bërë ndonjë nga zullumet e tij të zakonshme.
E bujshme! Rama i fut fshesën qeverisë dhe shpalos emrat surprizë

Pasi gjerbi gjithë qejf gllënjkën e parë të kafes dhe lëshoi një “ah” kënaqësie, ju rikthye përmbledhjes së temave që do të diskutonte në samitin qeveritar. Në mendje i qarkullonin ultimatumet dhe këshillat e misionares Lindë, që ja roitën kokën deri në 3 të sabahut dhe ndërkohë hidhte në letër shënimet për prioritetet e takimit, duke përfshirë dhe modifikimet e misionares.
Në 10 pa 10 u dëgjuan mërmërima nëpër sallë. Po vinin ata tigrat e vartësve dhe lepurushat e Udhëheqësit, të urtë, të bindur, me sytë përtokë dhe me një ankth që leçitej qartazi në sytë e tyre. Udhëheqësi kishte shtrirë këmbët mbi një karrige buzë vetratës gjigande me sytë e përqendruar në pafundësinë blu të Jonit, dëgjonte përshëndetjet e ministrave të cilëve ju përgjigjej me një “gjes” nëpër dhëmbë. Në ora dhjetë secili kishte zënë vend në tavolinën e punës sipas indikacioneve të emrave dhe po prisnin në ankth afrimin e Udhëheqësit. Pasi i la të prisnin dhjetë minuta u çua në këmbë dhe u ul në krye të tavolinës duke nisur fjalën e tij:
“Ju kam thirrur sot t’ju komunikoj se qeverisja aktuale do pësojë transformime rrënjësore. Shumë prej jush nuk do jenë në qeveri, për të ndryshuar frymën që keni futur deri tani. Kam kaq kohë që punoj me ju. Nuk ju kam kërkuar kurrë lekë. Sju kam kërkuar kurrë që të hani dardha mbrapa kurrizit tim. Nuk ju kam kërkuar kurrë të shkelnit ligjin. Të gjithë jeni me dosje në SPAK dhe prej jush po bëhem pis dhe unë. Prandaj dua që në qeverisjen e shtatorit të mos kem asnjë nga ju me dosje”.