Dramë në bregdetin francez: Policia shpon gomonen e emigrantëve në sekondat e fundit!

Një skenë dramatike u zhvillua në bregdetin francez afër qytetit Boulogne-sur-Mer, ku dhjetëra emigrantë – mes tyre burra, gra e fëmijë – tentuan të kalonin Kanalin e La Manshit me ndihmën e trafikantëve.

Sipas BBC-së, dy gomone ishin përfshirë në këtë përpjekje ilegale. Njëra prej tyre, tashmë e tejmbushur, lundronte rreth 100 metra larg bregut pa ndaluar, ndërsa një tjetër mbërriti më vonë, gati bosh dhe e shoqëruar nga një anije e rojës bregdetare franceze që qëndronte më larg.

Pamje të forta tregojnë emigrantët që dalin me nxitim nga kodrat e rërës, të veshur me jelekë shpëtimi, duke vrapuar drejt ujit dhe duke u kapur dorë për dore në përpjekje për të arritur gomonen. Uji iu arrinte deri në bel, ndërsa përpiqeshin të hipnin në mjetin lundrues.

Policia franceze në fillim nuk ndërhyri. Oficerët qëndruan në breg, duke cituar rregullat që ua ndalojnë hyrjen në ujë përveçse në raste emergjente. Dhe emergjenca nuk vonoi.

Gomonia, e tejmbushur, u përfshi nga valët dhe motori pësoi defekt. Në atë moment, një oficer dha urdhrin: kolegët hynë në ujë, hoqën pajisjet e tyre të rënda dhe përdorën thika për të shpuar gomonen, ndërkohë që trafikantët përpiqeshin ta rregullonin.

Kaos, britma dhe tension – por për fat, asnjë i lënduar. Emigrantët u nxorën në breg të sigurt, ndërsa gomonia u tërhoq nga policia.

Ngjarja ka ringjallur debatet për sigurinë kufitare dhe presionin britanik ndaj Francës për të vepruar më ashpër. Londra e cilësoi ndërhyrjen si një “moment të rëndësishëm”, ndërsa autoritetet franceze këmbëngulin se taktikat nuk kanë ndryshuar.

More posts