Donald Trump prezanton “Gold Card”: Shtetësi amerikane për 5 milionë dollarë

Donald Trump ka rikthyer vëmendjen botërore me një projekt të pazakontë: “Gold Card”, një kartë që, me një çmim prej 5 milionë dollarësh, ofron mundësinë e rezidencës së përhershme në Shtetet e Bashkuara dhe një rrugë të shpejtë drejt shtetësisë amerikane.

I shpallur fillimisht në muajin shkurt nga Shtëpia e Bardhë, projekti i Trump tashmë ka marrë jetë. Ish-presidenti, i njohur për stilin e tij provokues, e prezantoi kartën gjatë udhëtimit me Air Force One, duke e quajtur “shkurtore për miliarderët që duan të bëhen amerikanë pa kaluar pengesat burokratike të Green Card-it, të provimeve apo viteve të gjata të qëndrimit në SHBA”.

“Ekziston Green Card, por kjo është Gold Card”, u shpreh Trump. “Kush ka mundësi të paguajë, do të gëzojë të gjitha privilegjet e rezidentit të përhershëm dhe një rrugë të drejtëpërdrejtë për nënshtetësinë amerikane.”

Privilegjet e kartës së artë

Përveç statusit të rezidencës së përhershme, Trump Card u ofron të pasurve një përfitim të veçantë: përjashtimin nga tatimi mbi të ardhurat e realizuara jashtë SHBA-së. Dizajni i kartës është i tëri i artë, me portretin dhe nënshkrimin e Donald Trump të gdhendur mbi të, dhe mbishkrimin zyrtar: “The Trump Card”.

Sipas presidentit amerikan, karta pritet të dalë në treg në javët e ardhshme. “Do të shesim miliona”, tha ai me bindje, duke mos e përjashtuar mundësinë që ndër blerësit të jenë edhe oligarkë rusë, të cilët i cilësoi “persona shumë simpatikë”.

Investimi që zëvendëson programin EB-5

Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick, sqaroi se kjo iniciativë do të zëvendësojë programin ekzistues të vizave EB-5 për investitorë të huaj. Ky program deri tani u jepte mundësinë investitorëve të merrnin Green Card duke investuar nga 800 mijë deri në 1 milion dollarë në projekte amerikane që hapnin vende pune. Me “Gold Card”-in e Trump, shuma rritet në 5 milionë dollarë, por privilegjet janë shumë më të mëdha.

Nëse kjo politikë do të gjykohet si një hap ekonomik i zgjuar apo një rrëfim për mënyrën se si pasuria mund të blejë gjithçka, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: Trump e ka mbajtur premtimin e tij, duke ofruar një “visto d’oro” për elitën botërore.

More posts