Shkodra u trondit mbrëmjen e djeshme nga një atentat i mirëorganizuar, ku u ekzekutua me armë zjarri Kristian Kola, 34 vjeç. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, në lagjen “Vasil Shanto”, pranë kinema “Republika”, duke ngritur dyshime se kemi të bëjmë me vrasës profesionistë.
Detajet nga vrasja ne Shkoder

Mënyra e ekzekutimit
Detajet e reja zbulojnë se Kola kishte shkuar në një lokal për të takuar një mikun e tij. Sapo ai dhe shoku i tij dolën nga lokali, dy persona të maskuar me skafandra dhe të veshur me të zeza, të cilët udhëtonin me një motor, u shfaqën papritur. Njëri prej tyre, i cili dyshohet se kishte një armë zjarri me silenciator, qëlloi nga një distancë e afërt drejt 34-vjeçarit. Plumbat e kapën në pjesën e gjoksit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Shoku i tij, i cili ndodhej pranë, arriti të shpëtonte pa lëndime.
Pistat e hetimit dhe dyshimet e policisë
Policia po punon me intensitet për të zbardhur ngjarjen, por deri tani nuk ka një pistë konkrete hetimi. Mënyra e ekzekutimit, me motor, silenciator dhe me persona të maskuar, sugjeron se autorët mund të jenë vrasës me pagesë. Hetuesit dyshojnë se ata e kishin mbajtur nën vëzhgim objektivin dhe nuk përjashtohet mundësia e ekzistencës së informatorëve.
Në dëshmitë e para, dyshohet se motori i përdorur në atentat mund të jetë i njëjti që është parë para dy netësh duke ndjekur viktimën në zonën e Bardhajve. Për momentin, ky informacion është duke u verifikuar. Gjatë natës, Policia ka kryer kontrolle të shumta dhe ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, por ende pa rezultat për identifikimin e autorëve.
Kush ishte Kristian Kola?
Viktimën Kristian Kola, i cili nuk kishte precedentë penalë, punonte në një kompani ndërtimi së bashku me të atin. Së fundmi, firma e tyre po punonte për rikonstruksionin e kinemasë në Shkodër. Mbetet mister pse një person pa histori kriminale u bë objektiv i një atentati të tillë.