Zbardhen detaje të reja nga ngjarja tragjike që tronditi pasditen e sotme lumin Shkumbin, ku dy fëmijë të mitur, të moshës 7 dhe 9 vjeç, humbën jetën teksa laheshin.
Dëshmitari tregon gjithçka: Njëri në krahët e policit, tjetri ende në ujë – pamjet që s’harrohen kurrë

Të miturit kishin dalë bashkë me nënën për të kullotur bagëtitë në zonë, një rutinë e përditshme për familjen. Por kjo ditë do të merrte një kthesë fatale, pasi fëmijët vendosën të futeshin në ujë për t’u larë. Për fat të keq, një gropë e thelluar pranë një prite të hidrocentralit dhe rrjedha e fortë i përpinë, duke mos u lënë asnjë shans për të mbijetuar.
Një i afërm i viktimave, që ndodhej në punë jo larg vendit të ngjarjes, tregoi momentet e para kur kuptoi se diçka e rëndë kishte ndodhur:
“Isha te puna, pashë policinë që po vinte me vrap… Një punëtor i hidrocentralit mbante një nga fëmijët në krah, ndërsa tjetrin e kishte polici. U turrëm menjëherë. Ja mora fëmijën, i bëra frymëmarrje artificiale, por nuk pati asnjë reagim…”
Sipas tij, fëmijët shkonin çdo ditë në atë zonë bashkë me familjen për të mbushur ujë dhe për të kullotur bagëtitë.
“Prindërit mbanin lopët, kurse fëmijët kujdeseshin për delet. Aty te zalli, pak më tutje ku është bërë një gropë e madhe për shkak të prites, ndodhi tragjedia…”
Prindërit e të miturve janë në gjendje të rënduar psikologjike. Ata janë përballur me një dhimbje që s’ka fjalë ta përshkruajë — humbën dy djemtë e tyre në një moment, në një vend që ishte pjesë e jetës së tyre të përditshme.