Janë dy kallëzime të njëpasnjëshme të bëra ndaj Agron Malajt, ish-kryetari i Bashkisë së Matit, deputet, tashmë i zgjedhur, i Qarkut të Dibrës. Agron Malaj ka dy dosje të rënda penale, të cilat hetohen intensivisht nga SPAK-u.
Deputeti i zgjedhur i Ramës, me dy dosje në SPAK/ Drejt burgut apo drejt Parlamentit?!

Sipas të dhënave dhe burimeve zyrtare të siguruara nga CNA, kallëzimi i parë është bërë vitin e kaluar dhe në muajin shtator në një përgjigje zyrtare të kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, drejtuar kallëzuesve, thuhet se ishte regjistruar një çështje penale në lidhje me kallëzimin nr.273/2023 e bërë ndaj personave Erion Veliaj, Agron Malaj, Fatos Malaj dhe Elvin Tivari. Kjo është një çështje që nuk ka lidhje me hetimet që janë kryer për shtetasin Erion Veliaj nga prokurori Ols Dado dhe kreu i SPAK-ut, Altin Dumani.
Më pas një tjetër kallëzim është bërë ndaj Agron Malajt, pak para zgjedhjeve, por më i rëndësishëm është hetimi i regjistruar një vit më parë. Kallëzuesit pretendojnë se Agron Malaj dhe kompanitë e tij kanë përfituar rreth 5.4 milionë euro tenderë, nga institucionet e ndryshme në Qarkun e Dibrës dhe kryesisht në Bashkinë e Matit, nëpërmjet kompanisë “Global Security”. Gjithashtu SPAK-u ka thelluar hetimet dhe në lidhje me shtetasit Fatos Malaj dhe Elvin Tivari, të cilët shpesh janë akuzuar për lidhjet e tyre të forta me drejtorët e Bashkisë së Tiranës, me famozen dosje “5D”.
CNA ka mundur të sigurojë të dhëna zyrtare për kallëzimin e bërë ndaj shtetasit Agron Malaj dhe shtetasve të sipërpërmendur.
Tashmë jemi përpara faktit: A do të arrestohet Agron Malaj për veprat e rënda dhe dy kallëzimet që janë bërë apo do të shkojë deputet? Kjo lidhet edhe me faktin se pak ditë më parë, me daljen e përgjimeve të Erion Veliajt, thuhej se Agron Malaj ishte kandiduar për deputet për t’i shpëtuar SPAK-ut, por deri në momentin e betimit në Parlament, Agron Malaj nuk ka imunitet dhe SPAK-u vazhdon ta hetojë në mënyrë intensive për të shkuar drejt zbardhjes së të vërtetës.