Aktore dhe mami i dy djemve me emra të fuqishëm, Dasantinit dhe Kostandinit, Delinda Disha ndan në “Mam” me Orinda Hutën ndjesitë dhe përjetimet e saj të mëmësisë.
Delinda Disha flet për humbjen e binjakëve! Aktorja: M’u shemb bota, nuk duroja dot pyetjet

Dy djemtë kanë karakter tërësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri, Dasantini është më serioz ndërsa i vogli i qeshur dhe i papërmbajtshëm. Përpara ardhjes së Kostandinit në jetë, Delinda dhe bashkëshorti i saj kishin kohë që e mendonin zgjerimin e familjes. Herën e parë, iu duk se plani po merrte jetë sepse pati një shtatzëni, por që përfundoi shpejt. Hera e dytë u duk se ishte realizimi i planit.

Delinda ndau në Instagram lajmin se familja po shtohej me dy anëtarë të rinj. Fati nuk deshi që dëshira të shkonte deri në fund. E përlotur ajo zbulon për herë të parë edhe gjininë e tyre.
“Ishte shumë e bukur, lajmin unë e bëra publik nga gëzimi i madh që kisha që ta ndaja, ndërkohë që ti mendon për një fëmijë tjetër, merr vesh që do të bëhesh me dy, aq më tepër binjakë. Ishte e vështirë, por ja ku jam sot. Më vjen pak kështu se gjithmonë Dasantini thoshte dua edhe motër, edhe vëlla dhe kur ndodhi i thashë, mami ta ka plotësuar dëshirën, do të kesh edhe motër, edhe vëlla.
Megjithëse ia treguam shumë më mbrapa, ai tha po ti pse nuk ma ke treguar më përpara se unë e kuptoj? I thashë mami nuk donte të të shqetësonte se ti kishe filluar edhe me ëndrra, ne kishim filluar rregullimin e dhomës. Shiko, gjërat ndodhin për një gjë. Ndoshta duhet të ndodhte kjo që të kuptosh që ti je e fortë, ti do ia dalësh”.