Category: Uncategorized

  • Aksident me vdekje në Fier! 63-vjeçari pëson arrest kardiak ndërkohë që ndodhej në timon, makina përfundon në kanal

    Aksident me vdekje në Fier! 63-vjeçari pëson arrest kardiak ndërkohë që ndodhej në timon, makina përfundon në kanal

    Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur pak minuta më parë në fshatin Kallm i Vogël.

    Viktimë ka mbetur 63-vjeçari Baftjar Buzi.

    Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ai ka pësuar një arrest kardiak gjatë drejtimit të automjetit, duke humbur kontrollin dhe duke përfunduar në një kanal pranë rrugës.

    Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet e plota të aksidentit.

  • 17-vjeçari me ‘Land Rover’ përplas këmbësorin, dërgohet në gjendje të rëndë në spital

    17-vjeçari me ‘Land Rover’ përplas këmbësorin, dërgohet në gjendje të rëndë në spital

    Një tjetër aksident është shënuar në Fier në kryqëzimin pranë shkollës së muzikës. Një automjet tip “Land Rover”, i drejtuar nga një 17-vjeçar, ka përplasur një 35-vjeçar që po kalonte rrugën.

    I plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

    “Rreth orës 11:00, në lagjen “Liri Gero” automjeti me drejtues një shtetas 17 vjeç, banues në Fier, ka përplasur një këmbësor, rreth 35 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

    Eshtë shoqëruar në Komisariat drejtuesi i automjetit me të cilin po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor po punon për identifikimin e shtetasit të dëmtuar dhe për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.”, njofton policia.

  • I FUNDIT- Raporti i DASH trondit Shqiperine, goditen Rama dhe prokuroria!

    I FUNDIT- Raporti i DASH trondit Shqiperine, goditen Rama dhe prokuroria!

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për të Drejtat e Njeriut për të gjitha vendet e botës. Në raportin për Shqipërinë, sa i përket seksionit për arrestimet dhe paraburgimin, për këtë të fundit theksohet se aplikohet në formë të zgjatur dhe pa akuza.

    Në raportin e DASH, evidentohet se Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Instituti për Aktivizëm dhe Ndryshim Social kanë evidentuar se zgjatja e periudhës së paraburgimit mbetet një problem i vazhdueshëm.

    “Ligji kërkon që shumica e hetimeve paraprake të përfundojnë brenda tre muajsh, por prokurori ka të drejtë të zgjasë këtë periudhë. Paraburgimi nuk duhet të zgjasë më shumë se tre vjet.

    Sipas Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB), nuk është raportuar asnjë rast ku personat të jenë mbajtur përtej afateve të parashikuara me ligj”, thuhet në raportin e DASH.

    Megjithatë, mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve, thotë Departamenti Amerikan i Shtetit, ka sjellë vonesa në proceset penale.

    Për këtë situatë kanë ndikuar edhe mungesat në burime materiale, hapësira fizike, menaxhimi joefikas i kalendarit të gjykatave, numri i pamjaftueshëm i stafit dhe mosparaqitja e avokatëve apo dëshmitarëve.

    Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, procesi i vetingut në drejtësi ka përkeqësuar situatën, duke krijuar boshllëqe në gjykata dhe prokurori.

    Por kush eshte pergjegjes per kete situate? Normalisht qeveria dhe parlamenti qe kane zgjatur pafundesisht procesin e vettingut, duke sjelle mungesa ne prokurori dhe gjykata dhe duke mbajtur njerezit ne burg jashte cdo parashikimi, edhe ndonese kane qene te pafajshem.

    Por e njejta situate eshte edhe per prokurorine e gjykaten, te cilet nuk kane sjelle punesime te reja, duke u ruajtur vendet te vjeterve qe kane kaluar ne vetting!

  • Hamë vetëm bukë e kripë”, rrëfimet e dhimbshme të qytetarëve në Gaza, një kilogram domate kushton 30 dollarë

    Hamë vetëm bukë e kripë”, rrëfimet e dhimbshme të qytetarëve në Gaza, një kilogram domate kushton 30 dollarë

    Uria katastrofike e shkaktuar nga bllokada e ndihmës ndihet më shumë nga të moshuarit, të rinjtë dhe të varfrit në Gaza.

    Në rrugët e mbipopulluara dhe të mbushura me rrënoja të qytetit të Gazës, kishte pak habi për njoftimin se ekspertët e mbështetur nga OKB besonin se skenat e dëshpërimit tani mund të përshkruhen zyrtarisht si uri masive, sipas The Guardian.

    “Kjo është diçka që e kemi thënë prej muajsh. E kemi parë, e kemi përjetuar dhe jemi duke vuajtur nga kjo. Ndjehemi shumë të pafuqishëm, shumë të sëmurë dhe të lodhur,” tha Amjad Shawa, drejtori i Rrjetit të OJQ-ve Palestineze, i cili ka qëndruar në qytetin e Gazës gjatë gjithë luftës 22-mujore.

    Të premten, Klasifikimi i Fazave të Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC) – një organizatë e njohur globalisht që përcakton ashpërsinë e pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes – konstatoi se tre pragjet kyçe për shpalljen e një urie janë përmbushur në këtë qytet, dikur një qendër tregtare dhe administrative plot gjallëri.

    Që nga krijimi i saj në vitin 2004, IPC ka shpallur vetëm katër uri, më e fundit në Sudan vitin e kaluar.

    Kjo uri është tërësisht e shkaktuar nga njeriu, mund të ndalet dhe të kthehet mbrapsht”, thuhej në raport. Ai paralajmëroi për një rritje të ndjeshme të vdekjeve nëse “nuk zbatohet një armëpushim… dhe nëse nuk rikthehen menjëherë furnizimet ushqimore dhe shërbimet bazë”.

    Janë më të pambrojturit mes palestinezëve që aktualisht jetojnë në qytetin e Gazës – mendohet të jenë mes 500,000 dhe 800,000 vetë – ata që rrezikohen më shumë, veçanërisht të moshuarit, fëmijët, të sëmurët ose ata të izoluar shoqërisht, sipas zyrtarëve të ndihmës humanitare.

    “Nuk kam asgjë për të gatuar dhe as para për të blerë dru për zjarr. Hamë pak në mëngjes për të shuar urinë dhe pak në mbrëmje. Unë ha vetëm pak za’atar (përzierje erëzash), djathë ose vetëm kripë me bukë, pa perime, asgjë të gatuar,” tha Sabah Antaiz, 55 vjeç, e zhvendosur nga lagjja Tuffah në lindje të qytetit të Gazës për shkak të ofensivave të fundit izraelite.

    Antaiz vuan nga hipertensioni, diabeti dhe një sëmundje në zemër. Bashkëshorti i saj, 60 vjeç, është shumë i sëmurë dhe nuk mund të punojë ose të mbledhë ushqim. “Nuk na ka mbetur askush, askush që të na ndihmojë apo të na sjellë ushqim. Kam humbur rreth 10 anëtarë të familjes në një sulm ajror në lagjen Tuffah: babanë, nënën, nipërit dhe mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe motrave të mia,” tha ajo.

    Autoritetet izraelite e shtrënguan më tej bllokadën ekzistuese të Gazës në fillim të konfliktit në tetor 2023 dhe në mars e prill vendosën një ndalim të plotë dy mujor për furnizimet.

    Kohët e fundit ka hyrë më shumë ndihmë në Gaza, por sipas agjencive humanitare, kjo përbën vetëm një pjesë të vogël të nevojave reale. Çmimi i sheqerit ka rënë nga rreth 100 dollarë (74 £) për kilogram, në rreth 7 dollarë, por shumica e produkteve të tjera mbeten tepër të shtrenjta për 90% të popullsisë që nuk ka të ardhura. Një kilogram domate kushton 30 dollarë.

  • Flori Mumajesi përlotë me dedikimin për nënën

    Flori Mumajesi përlotë me dedikimin për nënën

    Flori Mumajesi ka zgjedhur të ndajë një rrëfim prekës në ditëlindjen e tij të 43-të. Përmes një dedikimi të gjatë e të ndjerë, artisti rikthehet tek kujtimet me nënën e tij të ndjerë, duke e përshkruar këtë ditë jo si të vetën, por si një ditë të përbashkët.

    “Dita e lindjes sime nuk është veç e imja. Është dita kur, mes lotësh dhe dhimbjesh, erdhi në jetë një djalë mbi katër kilogramë. Pas ditëve të numëruara një nga një, më 23 gusht një nënë lindi një djalë – me mua,” shkroi Flori.

    Ai përshkroi me nostalgji vitet e para të fëmijërisë, duke kujtuar lojërat e thjeshta dhe momentet e dashurisë me nënën. “Mbaj mend si shkrihesha sa herë më merrte në prehrë, më vendoste këmbët mbi këmbët e veta, më ngrinte duart dhe këndonte: ‘ding dange, e ding dange’”.

    Në dedikim, Flori nuk kurseu as detajet intime e plot ndjesi, si aromën e saj dhe ndjesinë e sigurisë që ajo i falte. “Deri vonë mbështetesha në gji, e përqafonja dhe e puthja nga këmbët deri në ballë. Kur zhytesha në qafë, ndonjëherë dëgjoja: ‘Jo, se jam me djersë’. Unë qeshja: ‘Po, më plasi bytha, mu se mos vjen erë djersa… vdes për këtë erë’”.

    Në fund, artisti zgjodhi ta mbyllte me një urim që shkrin çdo zemër: “Edhe sot, herë pas here, për një çast më pak se një sekondë, ajo aromë kthehet sërish. Por tashmë nuk ka sy për t’a parë, as zë për të uruar: ‘Gëzuar ditën që më linde, ditëlindjen tonë’, duke kënduar: ‘ding dange, e ding dange…’”.

    Ky mesazh i kthyer në poezi dhe plot mall për nënën e tij, ka emocionuar thellë ndjekësit e artistit, duke treguar edhe një herë lidhjen e pathyeshme mes një djali dhe nënës së tij.

  • Leon Trotsky, marksisti që denoncoi Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe masakrat serbe ndaj popullsisë shqiptare

    Leon Trotsky, marksisti që denoncoi Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe masakrat serbe ndaj popullsisë shqiptare

    Albert Vataj/ Më 21 gusht 1940, vdekja merr një nga figurat qendrore të marksizmit rus, duke mos mundur të ndalojë krijimin e një përbindëshi, të një monstre për Rusinë dhe jo vetëm, Josif Stalin. Më 20 gusht Leon Trotsky i sëmurë qëllohet për vdekje nga një agjent sekret i Stalinit. Ai kishte marrë goditje që do t’i sillnin vdekjen të nesërmen.

    Nga ne shqiptarët, Leon Trotsky duhet të kujtohet dhe të nderohet patjetër, pasi në vitin 1917, si komisar për çështje të jashtme, gjeti në arkivat e Rusise cariste dhe bëri publike dokumentin e Traktatit të Fshehtë të Londrës, nënshkruar në prill 1915, midis Italisë, Anglisë, Francës dhe Rusisë, për copëtimin e Shqipërisë.

    Dokumenti u bë publik, madje Austria e përktheu edhe në shqip, që çdo shqiptar të mund njihej me të, me këtë akt të turpshëm.

    Leon Trotsky i detyrohemi mirënjohje gjithashtu për denoncimin që ai i bëri në mediat ruse të masakrave të përbinshme serbë ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare gjatë Luftës Ballkanike. Leon Trotsky i njohur edhe si bashkëpunëtor në disa gazeta të rëndësishme të kësaj kohe, në dhjetorin e vitit 1912 e gjen atë si i dërguar special të gazetës ruse “Kievskaja Misl” në Shkup dhe rrethinat e tij, për të bërë një reportazh lufte. Por, i gjendur në mes të një masakre të organizuar të serbëve ndaj popullsisë shqiptare, ai nuk ngurron te shkruajë me tone akuzuese për atë që pa me sytë e tij.
    Gazeta “Kievskaja Misl”, që dilte në Kiev në gjuhën ruse, në atë kohë ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja që botohej jashtë kryeqytetit, Moskës. Për të, shkruanin pothuaj të gjitha penat më të mira të kohës, nisur nga publicisti Llunaçarski, duke vazhduar me shkrimtarët Korolenko, Paustovski e Gorki e për të përfunduar me politikanët si Leon Trotsky e të tjerë.

    Dihet se Leon Trotsky, me origjinë hebreje, ishte një nga dy pretendentët kryesor për të marrë postin e Leninit pas vdekjes. Por ai humbi përballë Stalinit dhe më pas u detyrua të largohej nga Bashkimi Sovjetik për të gjetur vdekjen në Meksikën e largët, pas një atentati të organizuar nga kundërshtarët politikë. Koha që Leon Trotsky sjell në reportazhin e tij ka qenë nga më të vështirat për shqiptarët dhe mbijetesën e tyre.

  • Vd*kja, kjo mbretëresh e zezë…’ Rrënqethëse! Ja cfarë shkroi Artur Zheji për vd*kjen një vit më parë

    Vd*kja, kjo mbretëresh e zezë…’ Rrënqethëse! Ja cfarë shkroi Artur Zheji për vd*kjen një vit më parë

    Jo më larg se gati 1 vit më parë gazetari dhe publicisti i ndjerë Artur Zheji që u nda nga jeta këtë të shtunë, ka shkruar një shkrim për vdekjen.
    Shkrimi i publikuar në 3 tetor të vitit 2024 përshkruan mes rreshtave me një gjuhë letrare si të ishte një postulat parashikimi për tragjedinë e tij të ndodhur këtë shtunë, duke e përshkruar si një fenomen që vjen befas dhe shfaqet si një “Zonjë madhështore”.

    Në shkrimin e mëposhtëm do të lexoni se si vetë gazetari krejt natyrshëm ka folur për vdekjen, këtë “Mbretëreshë të Zezë” si ai e quan, që e mori krejt papritur dhe në mënyrë tragjike këtë të shtunë për ta dërguar drejt banesës së tij të fundit.

    Ka pak raste të rralla, ku njeriu i vogël, apo njeriu i vetëpandehur i madh, zhubroset, tkurret dhe vjen befas në vete!

    Sepse Vdekja shfaqet!

    Krenare dhe me vështrim të tejpërtejshëm, duke kërrusur në trup dhe në fytyrat e vrerosura, madhështitë e rreme të viktimave të saj të ardhshme.Dhe zagarët ndjehen zagarë dhe jo ndonjë kafshë tjetër.

    Dhe kobrat ndjehen nëpërka tinzare e të pabesa, kokëulura dhe banuese të vrimave të fshehta ku thurrin planet e kafshimeve të ardhshme helmuese…

    Dhe titullarët e pushtetit trullosen dhe ndjehen Askushi, kur shohin në sytë pa sy Mbretëreshën e Zezë.

    Këtë Zonjë madhështore që një ditë vendos Drejtësi Hyjnore, mbi vampirët hipokritë të së përditshmes, ngjeshur dhe fshehur fort mirë, mbas kostumeve dhe kollareve të shtrenjta.

    Ata, kinse të vrerosur, parakalojnë kokëulur, në funeral, buzë Zonjës Madhështore, Mbretëreshës së Zezë, me duart me unaza të arta, që ju fshehin paq njollat e gjakut që nuk ju lahen dot.

    Ajo qëndron mbi krye të udhëtarit të rradhës për në Botën tjetër dhe i kqyr të gjithë si i kqyr Shqiponja, minjtë brejtës të Vendit tim.

    Dhe Mbretëresha, që lodron si fllad në atë log të përzishëm, dëgjon lutjet e tyre të heshtura, që ta shtyjnë sa më shumë takimin me të, të Pakorruptueshmen Absolute!

    Por Ajo, e Madhërishmja, vazhdon të lodrojë si fllad, mbi atë gumëzhitje milingonash, gjarpërinjsh e hienash dhe përkëdhel ëmbël veç ata, që njerëzisht vuajnë vërtetë për të ndjerin që Ajo ka ardhë të marrë me vete…

    Këtë perceptim ndjeva kur sodisja Funeralin e Shtetit për Ismail Kadarenë në udhëtimin e tij ndërmjet dy Botëve.

    Shkrimtari i mprehtë dhe ironik, virtuoz dhe vetmitar në më të shumtën e jetës së tij, vështroi së fundmi shumë nga personazhet që kishte qesëndisur dhe tallur, të mbanin rradhën në funeralin e tij.

    Në të vërtetë, kjo është hakmarrja e tmerrshme e mikrobotës, ndaj atyre që i kanë shpërfillur së gjalli, ju vijnë në funeral, duke ja trazuar qetësinë që lipset në këto raste.

    Ndaj dhe e mirëkuptova thellësisht Helena Kadarenë, që largoi turmën e Hiçave të shumtë, në çastet e shkurtra të ndarjes me Ismailin e saj.

    Kush kupton, kupton.

    Kush nuk kupton, nuk është më puna ime!

  • Vështirësohet pleqërimi, rritet me shpejtësi hendeku mes pensionit mesatar dhe pagës mesatare

    Vështirësohet pleqërimi, rritet me shpejtësi hendeku mes pensionit mesatar dhe pagës mesatare

    Rritja e kostove të jetesës vit pas viti nga shtrenjtimi i çmimeve ka gjasa të dëmtojnë më shumë pensionistët, pasi diferenca ndërmjet pensionit mesatar dhe pagës mesatare po rritet shumë shpejt.

    Fuqia blerëse për pjesën tjetër të popullatës mbahet disi në kontroll nga rritja e pagave, ndërsa për pensionet mbrojtja është e papërfillshme.

    Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë një rënie të vazhdueshme të shkallës së zëvendësimit të pensioneve të pleqërisë si në zonat urbanë ashtu edhe për ata ruralë.

    Shkalla e zëvendësimit matet si raporti midis pensionit mesatar dhe të ardhurave mesatare.

    Në vitin 2020, shkalla e zëvendësimit për pensionet urbane të pleqërisë ishte 37.6%, por kjo ka rënë ndjeshëm në 31.2% në vitin 2024,  një rënie prej 6.4 pikë përqindje në pesë vjet.

    Kjo do të thotë se pensionistët në qytete marrin gjithnjë e më pak për të kompensuar të ardhurat që kishin gjatë periudhës aktive të punës.

    E njëjta tendencë vërehet edhe në zonat rurale, ku shkalla e zëvendësimit ka rënë nga 35.7% në vitin 2020 në 29.7% në vitin 2024. Në vitin 2023 dhe 2024, për herë të parë, kjo shkallë ra nën nivelin 30%.

    Në vitin 2024 paga mesatare mujore bruto shënoi 79,500 lekë me rritje 47% nga viti 2020. Ndërsa pensioni mesatar urban në vitin 2024 ishte 19,609 lekë me rritje 24% nga viti 2020.

    Kjo prirje është veçanërisht shqetësuese në kushtet e plakjes së popullsisë dhe uljes së kontributeve në sistemin e sigurimeve shoqërore.

    Një shkallë më e ulët zëvendësimi nënkupton që të moshuarit po përballen me sfida të mëdha për të ruajtur standardin e jetesës pas daljes në pension.

    Rënia e shkallës së zëvendësimit është një tregues i dobësimit të rolit mbrojtës të sistemit publik të pensioneve.

    Në mungesë të reformave të qëndrueshme, pensionet nuk po arrijnë të ruajnë një lidhje të mjaftueshme me të ardhurat reale dhe inflacionin, duke i lënë pensionistët gjithnjë e më të pambrojtur financiarisht.

    Rënia e shkallës së zëvendësimit të pensioneve ka pasoja të drejtpërdrejta dhe të ndjeshme mbi cilësinë e jetës së pensionistëve, të cilat prekin aspektet ekonomike, sociale dhe shëndetësore.

    Diferenca ndërmjet pagës mesatare dhe pensionit mesatar nuk është thjesht çështje financiare, por një problem social me pasoja të gjera për mirëqenien e të moshuarve dhe kohezionin e shoqërisë.

    Ruajtja e një standardi të pranueshëm jetese për pensionistët është treguesi më i qartë i zhvillimit dhe drejtësisë sociale në një vend

  • Nga dritarja e avionit tek autostrada e frikës Durrës – Tiranë :  Rrëfimi ironik i Kreshnik Spahiut

    Nga dritarja e avionit tek autostrada e frikës Durrës – Tiranë : Rrëfimi ironik i Kreshnik Spahiut

    Piloti i avionit njoftoi uljen drejt aeroportit të Tiranës dhe të gjithë pasagjerët lidhën rripat e sigurimit. Ishte një ditë me diell dhe fluturim i qetë, pa turbulenca.

    Në sediljen ngjitur ishin rastësisht Emma dhe Sophia, dy gra gjermane që po vizitonin Shqipërinë për herë të parë. Ndërkohë që avioni po zbriste mbi bregdetin e Durrësit, Emma — e impresionuar nga pamja magjepsëse e detit dhe kodrave — u kthye nga unë dhe më pyeti:

    — Zotëri, sa kushton një makinë me qira? Sepse duam të eksplorojmë disa qytete të Shqipërisë.

    Papritur, buzëqeshja ime ngriu dhe fytyra më tradhtoi. Nuk munda ta fsheh reagimin. Ato, çuditërisht, e kuptuan mimikën time, dhe njëra prej tyre ma ktheu me shaka:

    — Ju ndoshta keni më shumë frikë makinën sesa avionin?

    Qesha dhe ktheva kokën nga dritarja, duke u treguar me gisht:

    — E shihni atë rrugën që shtrihet nga bregdeti deri te aeroporti? Ajo është autostrada më e rrezikshme në planet.

    U shpjegova që për mijëra shqiptarë, makina është dashuria e jetës. Madje, shumë prej tyre kalojnë më shumë kohë në lavazh sesa në punë.
    U thashë që jeta e disa shqiptarëve vërtitet rreth timonit të makinës, dhe e vetmja sfidë e tyre është të ecin më shpejt se të tjerët në rrugë.
    U thashë se çdo 100 metra në autostrad gjen nga një “budalla” që parakalon në krahun e kundërt.
    U thashë se çdo dy minuta të afrohet nga pas një fshatar me “kokën me gjashtë cepa”, që të bën dritat blic-blic, duke të kërkuar të lëshosh rrugën, sikur po i pengon garën.
    U thashë që ata me Range Rover apo GL nuk i ndalon policia sepse janë djemtë e biznesmenve ose dashnoret e politikanve.
    U thashë se ajo rrugë, ndonëse vetëm 30 kilometra, ka më shumë pika karburanti sesa autostrada Berlin–Pekin, e gjatë 8000 km.
    U thashë se aty ka më shumë gropa sesa në rrugët rurale të Nigerisë apo Kamerunit, dhe nuk krahasohet dot as me rrugët moderne që lidhin Egjiptin me Tanzaninë.

    Pastaj shtova se kjo “autostradë” është si Kalaja e Rozafës: ndërtohet ditën dhe prishet natën.
    Edhe kur mbesat e tyre të vijnë në Shqipëri pas 30 vjetësh, kjo rrugë me shumë gjasa do të jetë ende kantier ndërtimi.

    Në fund, u referova statistikave: kjo rrugë ka më shumë aksidente sesa rruga midis Kievit dhe Moskës — madje, çdo ditë.

    Në atë moment, avioni u ul por disa dhjetëra shqiptarë duartrokitën sikur sapo kishin shpëtuar nga vdekja në ajër — dhe të gjithë pasagjerët e huaj qeshën të habitur.

    Ndërkohë, mua më nisi ankthi. Sepse tani më duhej të hyja në autostradën e makthit.
    Thjesht… në ajër ndihesha më i sigurt sesa në rrugët e të marrëve.

    Shkroi: Kreshnik Spahiu ……….#shpërndaje

  • Trafik i rënduar në autostradë. Makinat e bllokuara prej disa orësh në…

    Trafik i rënduar në autostradë. Makinat e bllokuara prej disa orësh në…

    Kjo fundjavë gushti po shoqërohet me një fluks të madh mjetesh në Rrugën e Kombit. Më problematik është segmenti nga Rrësheni në Milot dhe në drejtim të Lezhës.

    Dyndja e shqiptarëve të Kosovës drejt bregdetit ka krijuar radhë të gjata automjetesh që prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të shtune.

    Për të përshkuar rreth 17 km rrugë, qytetarët presin deri në 3 orë. Ata thonë se kjo situatë është e papranueshme dhe duhet gjetur një zgjidhje.

    Trafiku është rënduar më shumë edhe për shkak të mbylljes së Ures së Milotit në fund të muajit korrik pas dëmtimeve të pësuara.