Blendi Gonxhe fshin borxhet e “Albarant Sh.p.k” nga Tatimet

Skandali i Superministrit të Ramës


Si një ministër i qeverisë i fshin borxhet milionëshe kompanisë së tij dhe e lë biznesin të funksionojë pa asnjë kontroll…

Përveç përfitimit të 151 milionë lekëve nga Landfilli i Tiranës, me kontrata fiktive për dhënie makinash me qira, dhe miliona lekëve të tjera të përfituara nga institucionet shtetërore, kompania “Albarant Sh.p.k” e ministrit Blendi Gonxhe është përfshirë në një skandal tjetër financiar që trondit sistemin tatimor shqiptar.

Më 15 tetor 2021, me Urdhër Nr. 13277, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes Drejtorisë së Detyrimeve Tatimore të Papaguara, bllokoi pasuritë e “Albarant Sh.p.k”, pasi kompania nuk kishte paguar detyrimet fiskale për shtatë vite.

Superministri, skandali i “Albarant Sh.p.k” dhe borxhet e fshira nga

Raporti i Tatimeve vërtetonte se kompania në pronësi të Blendi Gonxhes, me administratore bashkëshorten e tij, Elda Gonxhja, nuk kishte paguar 1.2 milionë euro detyrime tatimore për vitet 2015-2021.

Gonxhe zhvilloi gjatë këtyre viteve biznes për import dhe shitje mjetesh transporti, dhënie makinash me qira, shërbim taxi, transport kombëtar dhe ndërkombëtar udhëtarësh e mallrash, servis mjetesh dhe agjenci udhëtimesh turistike – pa paguar detyrimet tatimore për shtatë vite radhazi.

Abuzimi ishte flagrant, dhe Tatimet nxorrën urdhër bllokimi pasuror, megjithëse Gonxhe, pas vitit 2015, ishte pjesë e pushtetit të PS-së dhe mik i Edi Ramës. Ligji e përcakton qartë: afati për ankim është një muaj, ndërsa për shlyerjen e detyrimeve tatimore, pa ankim gjyqësor, është tre muaj pas nxjerrjes së urdhërit. Kur këto afate nuk respektohen, aktiviteti i biznesit bllokohet dhe detyrimet konfiskohen nga llogaritë bankare ose pasuritë e bllokuara.

Megjithatë, Blendi Gonxhe nuk bëri asnjë ankim, pasi borxhi ishte i verifikuar, dhe Tatimet nuk zbatuan ligjin për konfiskimin me titull ekzekutiv. Kompania “Albarant Sh.p.k” vazhdoi aktivitetin normal për tre vite pas bllokimit.

Më 8 nëntor 2023, me Urdhër Nr. 76822 të firmosur nga Drejtoresha e Detyrimeve Tatimore të Papaguara, Estela Dura, u hoq masa e bllokimit të pasurive me pretendimin se kompania kishte shlyer detyrimet. Por sipas burimeve konfidenciale brenda Ministrisë së Financave, detyrimet nuk ishin shlyer, dhe kompania rezulton pa asnjë borxh në Tatime.

Ky fshirje detyrimesh, që lejon biznesin të operojë pa pagesë tatimesh, përbën një skandal të hapur, i cili duhet të hetohet penalisht nga drejtësia. Gjatë periudhës 2023-2025, kompania nuk ka paguar detyrime tatimore, por aktiviteti i saj vazhdon i papenguar.

Ky privilegj duket se është mundësuar nga pozicioni i Blendi Gonxhes si ministër me mbështetjen e “të Gjatit”, si dhe kontrolli mbi Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku pasqyrohen bilancet dhe detyrimet tatimore. Një rast flagrant i kapjes së shtetit për interesa private./

More posts