“Biznesmeni italian i vrarë në Shqipëri/ Versione kontradiktore, kush e fshiu gjurmën e krimit?”

Gazeta prestigjioze italiane Corriere della Sera ka publikuar një artikull të gjatë për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Shqipëri, duke e cilësuar rastin si një histori të mbushur me mister dhe kontradikta.

Sarchi, një sipërmarrës ndërtimi nga Varese, i martuar me një shqiptare dhe banues prej vitesh në vendin tonë, u vra të shtunën në fshatin Salari. Fillimisht u tha se ai ishte qëlluar me armë zjarri, por sipas burimeve të Corriere-s, ai dyshohet se është goditur me një shkop në kokë.

Tre personat shqiptarë që ndodheshin me të kanë dhënë versione të ndryshme: njëri pretendon se u sulmuan nga një i armatosur, një tjetër flet për konflikt personal me një 48-vjeçar tashmë në arrati, ndërsa tjetri përmend një shëtitje gjuetie ku nuk u gjet asnjë gëzhojë. I dyshuari kryesor njihet për lidhje me armë, drogë dhe veprimtari të paligjshme.

Një tjetër element që ka ngritur dyshime është varrimi i menjëhershëm dhe privat i Sarchit, pa kryer autopsi, gjë që ka shtuar akuzat për fshehje të së vërtetës.

Sipas Corriere della Sera, shoqëruesit e Sarchit nuk janë emra të rastësishëm, por anëtarë të një familjeje me lidhje të hershme politike dhe të përfolur për lidhje kriminale, duke e bërë rastin edhe më të ndërlikuar.

Italia dhe Shqipëria po ndjekin nga afër këtë çështje, që duket se do të hapë një tjetër kapitull të errët në marrëdhëniet mes biznesit dhe politikës në rajon.

More posts